2 Kings 14:16-29

Albanian(i) 16 Kështu Joasin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros në Samari me mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jeroboami. 17 Amatsiahu, bir i Joasit dhe mbret i Judës, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas vdekjes së Joasit, birit të Jehoahazit dhe mbret i Izraelit. 18 Pjesa tjetër e bëmave të Amatsiahut a nuk është e shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? 19 Kundër tij u kurdis një komplot në Jeruzalem dhe ai iku në Lakish; por e ndoqën deri në Lakish, ku e vranë. 20 Pastaj e mbartën me kuaj dhe e varrosën në Jeruzalem bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit. 21 Atëherë tërë populli i Judës mori Azariahun, që ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe e bëri mbret në vend të atit të tij Amatsiah. 22 Mbasi mbretin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij, ai rindërtoi Elathin dhe ripushtoi Judën. 23 Në vitin e pesëmbëdhjetë të Amatsiahut, birit të Joasit dhe mbret i Judës, filloi të mbretërojë në Samari Jeroboami, bir i Joasit, mbret i Izraelit, dhe e mbajti fronin dyzet e një vjet. 24 Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit; nuk u largua nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, që kishte bërë të kryente mëkate Izraelin. 25 Ai rivendosi kufijtë e Izraelit nga hyrja e Hamathit në detin e Arahahut, sipas fjalës të Zotit, Perëndisë të Izraelit, të shqiptuar nga profeti Jona, birit të Amitait, që ishte nga Gath-Heferi. 26 Në fakt Zoti kishte parë që dëshpërimi i Izraelit ishte shumë i thellë; nuk kishte më as skllevër as të lirë, dhe nuk kishte as edhe një që t'i vinte në ndihmë Izraelit. 27 Zoti nuk kishte thënë akoma të zhdukej emri i Izraelin poshtë qiellit; prandaj e shpëtoi me anë të Jeroboamit, birit të Joasit. 28 Pjesa tjetër e bëmave të Jeroboamit, tërë atë që kreu, trimëria e tij në luftë dhe si i ripushtoi Izraelit Damaskun dhe Hamathin që kishin qenë pronë e Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? 29 Kështu Jeroboamin e zuri gjumi me etërit e tij, mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Zakaria.