Albanian(i)
3 Kufiri juaj jugor do të fillojë në shkretëtirën e Tsinit, gjatë kufirit të Edomit; kështu kufiri juaj do të shtrihet nga skaji i Detit të Kripur në drejtim të lindjes;
4 kufiri juaj do të shkojë pastaj nga e përpjeta e Akrabimit, do të kalojë nëpër Tsin dhe do të shtrihet në jug të Kadesh-Barneas; do të vazhdojë pastaj në drejtim të Hatsar-Adarit dhe do të kalojë nëpër Atsmoni.
5 Nga Atsmoni kufiri do të kthejë deri në përroin e Egjiptit dhe do të përfundojë në det.
6 Kufiri juaj në perëndim do të jetë Deti i Madh; ky do të jetë kufiri juaj perëndimor.
7 Ky do të jetë kufiri juaj verior: duke u nisur nga Deti i Madh do të caktoni kufirin tuaj deri në malin Hor;
8 nga mali Hor do të caktoni kufirin tuaj deri në hyrje të Hamathit, dhe skaji i kufirit do të jetë në Tsedad;
9 kufiri do të vazhdojë pastaj deri në Zifron dhe do të mbarojë në Hatsar-Enan; ky do të jetë kufiri juaj verior.
10 Do ta vijëzoni kufirin tuaj lindor nga Hatsar-Enani deri në Shefam;
11 kufiri do të zbresë nga Shefami në drejtim të Riblahut, në lindje të Ainit; pastaj kufiri do të zbresë dhe do të shtrihet deri sa të arrijë bregun lindor të detit të Kinerethit;
12 pastaj kufiri do të zbresë në drejtim të Jordanit, për të arritur deri në Detin e Kripur. Ky do të jetë vendi juaj me kufijtë e tij rreth e qark".
13 Kështu Moisiu u njoftoi këtë urdhër bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Ky është vendi që do të merrni si trashëgimi duke hedhur short, dhe që Zoti ka urdhëruar t'u jepet nëntë fiseve e gjysmë,
14 sepse fisi i bijve të Rubenit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe fisi i bijve të Gadit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe gjysma e fisit të Manasit e kanë marrë trashëgiminë e tyre.
15 Këto dy fise e gjysmë e kanë marrë trashëgiminë e tyre në lindje të Jordanit, mbi bregun përballë Jerikos, në drejtim të lindjes".