Zechariah 12:3 Cross References - Albanian

3 Atë ditë do të ndodhë që unë do ta bëj Jeruzalemin një gur të rëndë për gjithë popujt; të gjithë ata që do të ngarkohen me të do të bëhen krejtësisht copë-copë, edhe sikur të mblidheshin të gjitha kombet e dheut kundër tij.

Isaiah 60:12

12 Sepse kombi dhe mbretëria që nuk do të të shërbejnë do të zhduken, dhe ato kombe do të shkatërrohen plotësisht.

Isaiah 66:14-16

14 Ju do ta shihni këtë, dhe zemra juaj do të gëzohet, kockat tuaja do të marrin përsëri fuqi si bari i njomë. Dora e Zotit do t'u bëhet e njohur shërbëtorëve të tij dhe do të zemërohet me të madhe kundër armiqve të tij. 15 Sepse ja, Zoti do të vijë me zjarrin dhe qerret e tij do të jenë si një uragan për të hedhur zemërimin e tij me tërbim dhe kërcënimin e tij me flakë zjarri. 16 Sepse Zoti do të ushtrojë drejtësinë me zjarrin dhe shpatën e tij kundër çdo mishi; dhe të vrarët nga Zoti do të jenë të shumtë.

Ezekiel 38:1-23

1 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: 2 "Bir njeriu, kthe fytyrën tënde drejt Gogut të vendit të Magogut, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit, dhe profetizo kundër tij, 3 dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Gog, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit. 4 Unë do të të kthej prapa, do të vë çengela në nofullat e tua dhe do të të nxjerr me gjithë ushtrinë tënde, me kuaj dhe kalorës, të gjithë të veshur shkëlqyeshëm, një turmë e madhe me mburoja të mëdha dhe të vogla, me shpatë në dorë, 5 dhe me ta Persia, Etiopia dhe Puti, të gjithë me mburoja dhe përkrenare. 6 Gomeri dhe tërë ushtarët e tij, shtëpia e Togarmahut, pjesët skajore të veriut dhe të gjithë ushtarët e tij, shumë popuj janë me ty. 7 Përgatitu dhe ji gati, ti dhe gjithë turmat e tua të mbledhura rreth teje, dhe ji roje për ta. 8 Mbas shumë ditësh ti do të ndëshkohesh. Në vitet e fundit do të sulesh kundër vendit që nuk iu shmang shpatës, banorët e të cilit janë mbledhur nga shumë popuj, në malet e Izraelit, që kanë qenë për shumë kohë një shkreti; tani ata, të nxjerrë nga popujt, do të banojnë të gjithë të sigurt. 9 Ti do të ngjitesh, do të vish si një tufan, do të jesh si një re që mbulon vendin, ti me gjithë trupat e tua dhe shumë popuj bashkë me ty". 10 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Atë ditë do të ndodhë që do të të vijnë në mendje projekte dhe do të hartosh një plan të keq. 11 Do të thuash: "Unë do të dal kundër këtij vendi fshatrash pa mure, do të nisem kundër njerëzve të qetë që banojnë të sigurt, që qëndrojnë të gjithë në vende pa mure dhe nuk kanë as shula as porta", 12 për të plaçkitur dhe për të bërë pre, për të shtrirë dorën tënde kundër vendeve të shkretuara, por tani të ripopulluara dhe kundër një populli të mbledhur midis kombeve, që i ka siguruar vetes kafshë, pasuri dhe banesë në lartësitë e vendit. 13 Sheba, Dedani, tregtarët e Tershishit dhe tërë luanët e vegjël do të pyesin: "Ke ardhur për të plaçkitur? Ke mbledhur turmën tënde për të bërë plaçkë, për të marrë argjendin dhe arin, për të marrë kafshët dhe pasuritë, për të bërë një plaçkë të madhe?". 14 Prandaj, bir njeriu, profetizo dhe i thuaj Gogut: Kështu thotë Zoti, Zoti: Atë ditë, kur populli im i Izraelit do të jetë i sigurtë, a nuk do ta dish ti? 15 Do të vish nga banesa jote, nga skajet e veriut, ti dhe shumë popuj me ty, të gjithë të hipur mbi kuaj, një turmë e madhe dhe një ushtri e fuqishme. 16 Do të dalësh kundër popullit tim të Izraelit, si një re që mbulon vendin. Kjo ka për të ndodhur ditët e fundit: do të të çoj kundër vendit tim me qëllim që kombet të më njohin, kur të shenjtërohem te ti përpara syve të tyre, o Gog". 17 Kështu thotë Zoti, Zoti: "A nuk je ti ai për të cilin fola në kohët e lashta me anë të shërbëtorëve të mi, profetët e Izraelit, të cilët për vite me radhë profetizuan ato ditë që do të të kisha sjellë kundër tyre? 18 Por do të ndodhë që po atë ditë, ditën kur Gogu do të vijë kundër tokës së Izraelit", thotë Zoti, Zoti, "që tërbimi im do të më hipë në vrimat e hundës. 19 Në xhelozinë time dhe në zjarrin e zemërimit tim, unë deklaroj se atë ditë do të ketë një tronditje të madhe në vendin e Izraelit: 20 përpara meje do të dridhen peshqit e detit, shpendët e qiellit, kafshët e fushës, të gjithë rreshqanorët që zvarriten mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë mbi faqen e dheut; malet do të shemben, vendet e rrëpirta do të rrëzohen dhe të gjitha muret do të bien për tokë. 21 Unë do të thërras kundër tij shpatën mbi të gjitha malet e mia", thotë Zoti, Zoti; shpata e secilit do të drejtohet kundër vëllait të vet. 22 Do të ekzekutoj vendimin tim mbi të me murtajë dhe me gjak do të bëj të reshë mbi të, mbi ushtrinë e tij dhe mbi shumë popuj që janë bashkë me të, një shi që zhurin, gurë prej akulli, zjarr dhe squfur. 23 Kështu do të lartësohem dhe do të shenjtërohem dhe do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe do të pranojnë se unë jam Zoti".

Daniel 2:34-35

34 Ndërsa po shikoje, një gur u shkëput, por jo nga dora e njeriut, dhe goditi figurën në këmbët e saj prej hekuri dhe argjile dhe i copëtoi. 35 Atëherë hekuri, argjila, bronzi, argjendi dhe ari u copëtuan bashkë dhe u bënë si kope byku në lëmë gjatë verës; era i mori me vete dhe nuk u gjet më asnjë gjurmë e tyre. Por guri që kishte goditur figurën u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën.

Daniel 2:44-45

44 Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t'i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë, 45 pikërisht ashtu siç e pe gurin të shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut, për të copëtuar hekurin, bronzin, argjilën, argjendin dhe arin. Perëndia i madh i ka bërë të njohur mbretit atë që ka për të ndodhur tani e tutje. Éndrra është e vërtetë dhe interpretimi i saj është i sigurt".

Joel 3:8-16

8 Do t'i shes bijtë tuaj dhe bijat tuaja në duart e bijve të Judës, që do t'ua shesin Sabejve, një komb i largët, sepse Zoti ka folur". 9 Shpallni këtë midis kombeve: "Pregatitni luftën, zgjoni njerëzit trima, le të afrohen, le të dalin gjithë luftëtarët! 10 Farkëtoni shpata me ploret tuaj dhe ushta me drapërinjtë tuaj. I dobëti le të thotë: "Jam i Fortë!"". 11 Nxitoni dhe ejani, kombe rreth e rrotull, dhe mblidhuni! O Zot, bëj që të zbresin atje njerëzit e tu trima! 12 "Le të ngrihen dhe të dalin kombet në luginën e Jozafatit, sepse atje unë do të ulem për të gjykuar të gjitha kombet që janë përreth. 13 Merrni në dorë draprinjtë, sepse të korrat janë gati. Ejani, zbrisni, sepse trokulli është plot, butet grafullojnë, sepse e madhe është ligësia e tyre". 14 Turma pas turmash në Luginën e vendimit. Sepse dita e Zotit është e afërt, në Luginën e vendimit". 15 Dielli dhe hëna po erren dhe yjet po humbin shkëlqimin e tyre. 16 Zoti do të vrumbullojë nga Sioni dhe do të bëjë që t'i dëgjohet zëri nga Jeruzalemi, aq sa qiejt dhe toka do të dridhen. Por Zoti do të jetë një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit.

Obadiah 1:18

18 Shtëpia e Jakobit do të jetë një zjarr, shtëpia e Jozefit një flakë, por shtëpia e Esaut do të jetë si kallamishte: ata do ta djegin dhe do ta gllabërojnë, dhe shtëpisë së Esaut nuk do t'i mbetet asnjë trashëgimtar", sepse ka folur Zoti.

Micah 4:11-13

11 Tani janë mbledhur shumë kombe kundër teje që thonë: "Le të përdhoset dhe sytë tona le të kënaqen duke shikuar Sionin". 12 Por ata nuk i dinë mendimet e Zotit, nuk e kuptojnë qëllimin e tij, sepse ai do t'i mbledhë si duaj në lëmë. 13 Çohu dhe shij, o bijë e Sionit, sepse do ta bëj bririn tënd prej hekuri dhe thonjtë e tu prej bronzi; ti do të dërmosh shumë popuj dhe unë do t'ia caktoj fitimet e tyre Zotit dhe pasuritë e tyre Zotit të të gjithë dheut.

Micah 5:8

8 Kusuri i Jakobit do të jetë midis kombeve, në mes të shumë popujve, si një luan midis kafshëve të pyllit, si një luan i vogël midis kopeve të dhenve, i cili, po të jetë se kalon në mes, shkel dhe shqyen pa i dhënë mundësi askujt t'i shpëtojë.

Micah 5:15

15 Do të hakmerrem me zemërim dhe me tërbim me kombet që nuk kanë dashur të dëgjojnë".

Micah 7:15-17

15 "Si në ditët që dole nga vendi i Egjiptit, unë do t'u tregoj atyre gjëra të mrekullueshme". 16 Kombet do të shohin dhe do t'u vijë turp për tërë fuqinë e tyre; do të vënë dorën te goja, veshët e tyre do të mbeten të shurdhër. 17 Do të lëpijnë pluhurin si gjarpëri, si rrëshqanorët e tokës, do të dalin duke u dridhur nga vendet ku janë fshehur; do të kenë frikë nga Zoti, Perëndia ynë, dhe do të kenë frikë nga ti.

Habakkuk 2:17

17 Sepse dhuna e ushtruar në Liban do të të mbulojë, dhe shkatërrimi i kafshëve do të të mbushë me tmerr, për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës së ushtruar mbi vendin, qytetet dhe tërë banorët e tij.

Zephaniah 3:19

19 Ja, në atë kohë unë do të veproj kundër atyre që të shtypin; do të shpëtoj çalamanin dhe do të mbledh ata që janë dëbuar, dhe do t'i bëj të lavdishëm dhe të dëgjuar në të gjitha vendet ku kanë qenë me turp.

Haggai 2:22

22 do të përmbys fronin e mbretërive dhe do të shkatërroj fuqinë e mbretërive të kombeve; do të përmbys qerret dhe ata që u hipin atyre; do të rrëzohen kuajt dhe kalorësit e tyre, secili do të vritet nga shpata e vëllait të vet.

Zechariah 2:8-9

8 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Lavdia e tij më ka dërguar te kombet që ju kanë plaçkitur, sepse ai që ju prek prek beben e syrit të tij. 9 Ja, unë do ta tund dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen pre e atyre që u ishin nënshtruar atyre; atëherë do të pranoni që më ka dërguar Zoti i ushtrive.

Zechariah 10:3-5

3 "Zemërimi im merr zjarr kundër barinjve dhe unë do të ndëshkoj cjeptë, sepse Zoti i ushtrive do të vizitojë kopenë e tij, shtëpinë e Judës dhe do ta bëjë atë si kalin e tij madhështor në luftë. 4 Prej tij do të dalë guri i qoshes, prej tij do të dalë kunji, prej tij harku i betejës, prej tij do të dalë çdo sundues, të gjithë së bashku. 5 Dhe do të jenë si trimat që do të shkelin armiqtë e tyre në baltën e rrugëve në betejë. Do të luftojnë, sepse Zoti është me ta, ata që u hipin kuajve do të mbeten të shushatur.

Zechariah 12:4

4 Atë ditë", thotë Zoti, "unë do t'i qëlloj me hutim të gjithë kuajt dhe me marrëzi kalorësit e tyre; do t'i hap sytë e mi mbi shtëpinë e Judës, por do të godas me verbim të gjithë kuajt e popujve.

Zechariah 12:6

6 Atë ditë unë do t'i bëj krerët e Judës si një mangall që digjet në mes të një turre drush, si një pishtar të ndezur midis demeteve. Ata do të gllabërojnë djathtas e majtas gjithë popujt përreth; por Jeruzalemi do të mbetet akoma i banuar, në vendin e vet, në Jeruzalem.

Zechariah 12:8-9

8 Atë ditë Zoti do t'i mbrojë banorët e Jeruzalemit; atë ditë më i dobëti ndër ta do të jetë si Davidi, dhe shtëpia e Davidit do të jetë si Perëndia, si Engjëlli i Zotit përpara tyre. 9 Atë ditë do të ndodhë që unë do të veproj për të shkatërruar të gjitha kombet që do të dalin kundër Jeruzalemit".

Zechariah 12:11

11 Atë ditë në Jeruzalem do të ketë pikëllim të madh, i ngjeshëm me pikëllimin Hadad-rimonit në luginën Megido.

Zechariah 13:1

1 "Atë ditë do të hapet një burim për shtëpinë e Davidit dhe për banorët e Jeruzalemit, për mëkatin dhe për papastërtinë.

Zechariah 14:2-4

2 Unë do t'i mbledh të gjitha kombet për të luftuar kundër Jeruzalemit; qyteti do të pushtohet, shtëpitë do të plaçkiten dhe gratë do të dhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në robëri, por ata që do të mbeten nga populli nuk do të shfarosen nga qyteti. 3 Pastaj Zoti do të dalë për të luftuar kundër atyre kombeve, ashtu si ka luftuar herë të tjera në ditën e betejës. 4 Atë ditë këmbët e tij do të ndalen sipër malit të Ullinjve që ndodhet përballë Jeruzalemit, në lindje, dhe mali i Ullinjve do të çahet në mes, nga lindja në perëndim, duke krijuar kështu një luginë të madhe; gjysma e malit do të tërhiqet drejt veriut dhe gjysma tjetër drejt jugut.

Zechariah 14:6

6 Atë ditë do të ndodhë që nuk do të ketë më dritë; yjet e ndritshëm do të erren.

Zechariah 14:8-9

8 Atë ditë do të ndodhë që nga Jeruzalemi do të burojnë ujëra të freskëta: gjysma e tyre do të shkojë drejt detit lindor dhe gjysma drejt detit perëndimor; kështu do të jetë si në verë ashtu edhe në dimër. 9 Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij.

Zechariah 14:13

13 Atë ditë do të ndodhë që për shkak të veprimit të Zotit, midis tyre do të jetë një çoroditje e madhe; secili prej tyre do të zërë dorën e fqinjit të vet dhe do ta ngrerë dorën kundër dorës së fqinjit të vet.

Matthew 21:44

44 Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar''.

Luke 20:18

18 Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet''.

Revelation 16:14

14 Sepse në fakt janë fryma të demonëve që bëjnë mrekulli, që shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t'i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.

Revelation 17:12-14

12 Të dhjetë brirët, që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët nuk kanë marrë ende mbretërinë, por do të marrin pushtet si mbretër, një orë, bashkë me bishën. 13 Këta kanë një qëllim, dhe do t'ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës. 14 Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t'i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë''.

Revelation 19:19-21

19 Dhe pashë bishën, dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre të mbledhura që të bënin luftë kundër atij që kalëronte kalin dhe kundër ushtrisë së tij. 20 Dhe bisha u kap, dhe bashkë me të profeti i rremë që kishte bërë shenja përpara saj, me të cilat i mashtroi ata që morën damkën e bishës, dhe ata që adhuruan figurën e saj; që të dy i hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur; 21 dhe të tjerët u vranë me shpatë, që dilte nga goja e atij që kalëronte kalin, dhe të gjitha shpendët u ngopën me mishrat e tyre.

Revelation 20:8-9

8 dhe do të dalë të mashtrojë kombet që janë në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t'i mbledhë ata për luftë; numri i tyre do të jetë si rëra e detit. 9 Dhe ata do të lëvizin në të gjithë sipërfaqen e dheut dhe do ta rrethojnë fushën e shenjtorëve dhe qytetin e dashur. Por nga qielli do të zbresë zjarr, i dërguar nga Perëndia, dhe do t'i përpijë.

Cross Reference data is from OpenBible.info, retrieved June 28, 2010, and licensed under a Creative Commons Attribution License.