Bible verses about "female education" | Albanian

Genesis 38:8-10

8 Atëherë Juda i tha Onanit: "Shko te gruaja e vëllait tënd, martohu me të dhe krijoi trashëgimtarë vëllait tënd". 9 Por Onani, duke ditur se këta pasardhës nuk kishin për të qënë të vetët, kur bashkohej me gruan e të vëllait, e hidhte farën e tij përtokë për të mos i dhënë pasardhës vëllait të tij. 10 Kjo nuk i pëlqeu Zotit, që e bëri të vdesë edhe atë.

Genesis 2:4-3:24

4 Këto janë origjina e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin. 5 Nuk kishte ende mbi tokë asnjë shkurrëz në fushë dhe asnjë bar nuk kishte mbirë ende në fushë, sepse Zoti Perëndi nuk kishte hedhur asnjë shi mbi tokën dhe nuk ekzistonte njeriu për të punuar tokën. 6 Por nga toka ngjitej një avull që ujiste tërë sipërfaqen e tokës. 7 Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë. 8 Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar. 9 Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t'u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. 10 Një lumë dilte nga Edeni për të ujitur kopshtin dhe ndahej në katër rrjedha uji. 11 Emri i lumit të parë është Pishon; është ai që rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka flori; 12 dhe floriri i këtij vendi është i mirë; aty gjenden gjithashtu bdeli dhe guri i oniksit. 13 Emri i lumit të dytë është Gihon, dhe ai rrethon tërë vendin e Kushit. 14 Emri i lumit të tretë është Tigri, dhe është ai që rrjedh në lindje të Asirisë. Lumi i katërt është Eufrati. 15 Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante. 16 Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: "Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; 17 por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri". 18 Pastaj Zoti Perëndi tha: "Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t'i bëj një ndihmë që i leverdis". 19 Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t'i quante; dhe sido që njeriu t'i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre. 20 Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të. 21 Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. 22 Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. 23 Dhe njeriu tha: "Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri". 24 Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm. 25 Dhe burri e gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj.

Genesis 3:1-24

1 Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?"". 2 Dhe gruaja iu përgjegj gjarprit: "Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë; 3 por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: "Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni"". 4 Atëherë gjarpri i tha gruas: "Ju s'keni për të vdekur aspak; 5 por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen". 6 Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte i dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai. 7 Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar. 8 Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit. 9 Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: "Ku je?". 10 Ai u përgjigj: "Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha". 11 Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?". 12 Njeriu u përgjigj: "Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra". 13 Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: "Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj". 14 Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: "Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. 15 Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj". 16 Gruas i tha: "Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty". 17 Pastaj i tha Adamit: "Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: "Mos ha prej saj", toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të 18 Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave; 19 do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh". 20 Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve. 21 Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi. 22 Dhe Zoti Perëndi tha: "Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t'i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë për gjithnjë". 23 Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë. 24 Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.

Genesis 38:1-30

1 Por në atë kohë ndodhi që Juda la vëllezërit e tij dhe shkoi të rrijë me një burrë nga Adullami, që quhej Hirah. 2 Kur Juda pa vajzën e një burri Kananean të quajtur Shua e mori për grua dhe u bashkua me të. 3 Dhe ajo u ngjiz dhe lindi një bir, që ajo e quajti Er. 4 Pastaj ajo u ngjiz dhe lindi një bir, që ai e quajti Onan. 5 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një bir, të cilit i vuri emrin Shelah. Juda ishte në Kecib kur ajo lindi. 6 Pastaj Juda i dha Erit të parëlindurit të tij, një grua të quajtur Tamara. 7 Por Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i keq në sytë e Zotit dhe Zoti e bëri të vdesë. 8 Atëherë Juda i tha Onanit: "Shko te gruaja e vëllait tënd, martohu me të dhe krijoi trashëgimtarë vëllait tënd". 9 Por Onani, duke ditur se këta pasardhës nuk kishin për të qënë të vetët, kur bashkohej me gruan e të vëllait, e hidhte farën e tij përtokë për të mos i dhënë pasardhës vëllait të tij. 10 Kjo nuk i pëlqeu Zotit, që e bëri të vdesë edhe atë. 11 Atëherë Juda i tha Tamarës, nuses së birit të tij: "Rri si e ve në shtëpinë e atit tënd, deri sa biri im Shelah të rritet". Sepse mendonte: "Kam frikë se edhe ai ka për të vdekur si vëllezërit e tij". Kështu Tamara u nis dhe banoi në shtëpinë e të atit. 12 Mbas një kohe të gjatë vdiq gruaja e Judës, që ishte e bija e Shuas; kur mbaroi zinë, Juda u ngjit tek ata që qethnin delet e tij në Timnah bashkë me mikun e tij Hirah, i quajtur Adullamiti. 13 Këtë e mori vesh Tamara dhe asaj i thanë: "Ja, vjehrri yt po ngjitet në Timnah për të qethur delet e tij". 14 Atëherë ajo hoqi rrobat e saj të vejërisë, u mbulua me një velo dhe u mbështoll e tëra; pastaj u ul te porta e Enaimit, që ndodhet në rrugën drejt Timnahut; në fakt ajo kishte parë që Shelahu ishte rritur më në fund, por ajo nuk i ishte dhënë për grua. 15 Sa e pa Juda mendoi që ajo ishte prostitutë, sepse e kishte fytyrën të mbuluar. 16 Prandaj ai iu afrua asaj në rrugë dhe i tha: "Lërmë të hyj te ti". Në të vërtetë nuk e dinte se ajo ishte nusja e djalit të tij. Ajo iu përgjegj: "Çfarë do të më japësh për të hyrë tek unë?" 17 Atëherë ai i tha: "Do të të dërgoj një kec nga kopeja ime". Ajo e pyeti: "A më jep një peng deri sa të ma dërgosh?". 18 Ai i tha: "Çfarë pengu duhet të të jap?". Ajo u përgjegj: "Vulën tënde, kordonin tënd dhe bastunin që ke në dorë". Ai ia dha, hyri te ajo dhe ajo u ngjiz me të. 19 Pastaj ajo u ngrit dhe iku; hoqi velin dhe veshi përsëri rrobat e saj të vejërisë. 20 Por Juda i dërgoi kecin me anë të mikut të tij, Adulamitit, për të rimarë pengun nga duart e asaj gruaje; po ai nuk e gjeti atë. 21 Atëherë pyeti njerëzit vendas duke thënë: "Ku është ajo prostitutë që rrinte në Enaim, në rrugë?". Ata u përgjigjën: "Nuk ka pasur asnjë prostitutë këtu". 22 Kështu ai u kthye te Juda dhe i tha: "Nuk e gjeta; veç kësaj vendasit më thanë: "Nuk ka pasur asnjë prostitutë këtu"". 23 Atëherë Juda tha: "Le ta mbajë, pra, pengun që i dhashë, sepse nuk duam të mbulohemi me turp. Ja, unë i dërgova këtë kec dhe ti nuk e gjete". 24 Tre muaj më vonë erdhën dhe i thanë Judës: "Tamara, nusja e birit tënd, është bërë prostitutë; dhe, nga ky shkak, ajo ka mbetur gjithashtu me barrë". Atëherë Juda u tha: "Nxirreni jashtë dhe digjeni!". 25 Ndërsa po e nxirrnin jashtë, ajo i çoi fjalë të vjehrrit: "Njeriu të cilit i përkasin këto sende, më la me barrë". Pastaj tha: "Shiko në se mund të dallosh të kujt janë këto sende: vula, kordoni dhe bastuni". 26 Juda i njohu dhe i tha: "Ajo është më e drejtë se unë, se unë nuk ia dhashë Shelahut, birit tim". Dhe ai nuk pati më marrëdhënie me të. 27 Kur edhi koha e lindjes, ajo kishte në bark dy binjakë. 28 Ndërsa po lindte, njeri prej tyre nxori jashtë një dorë dhe mamia e kapi dhe i lidhi një fije të kuqe flakë, duke thënë: "Ky doli i pari". 29 Por ai e tërhoqi dorën e tij, dhe ja që doli jashtë vëllai i tij. Atëherë mamia tha: "Si ia çave rrugën vetes?". Për këtë arësye u quajt Perets. 30 Pastaj doli vëllai i tij, që kishte rreth dorës fijen ngjyrë të kuqe flakë; dhe u quajt Zerah.

Genesis 18:9-16

9 Pastaj ata i thanë atij: "Ku është Sara, gruaja jote?". Abrahami u përgjegj: "Éshtë atje në çadër". 10 Dhe ai tha: "Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë". Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij. 11 Por Abrahami dhe Sara ishin pleq, në moshë të kaluar, dhe Sara nuk kishte më të përmuajshmet e grave. 12 Prandaj Sara qeshi me veten e saj, duke thënë: "Plakë si jam, a do të kem unë gëzime të tilla, me qënë se vetë zoti im është plak?". 13 Dhe Zoti i tha Abrahamit: "Pse qeshi vallë Sara duke thënë: "A do të lind unë përnjëmend, plakë siç jam?". 14 A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir". 15 Atëherë Sara mohoi, duke thënë: "Nuk qesha", sepse pati frikë. Por ai i tha: "Përkundrazi, ke qeshur!". 16 Pastaj ata njerëz u ngritën së andejmi dhe kthyen shikimin e tyre në drejtim të Sodomës; dhe Abrahami ecte bashkë me ta për tu ndarë prej tyre.

Genesis 38:8

8 Atëherë Juda i tha Onanit: "Shko te gruaja e vëllait tënd, martohu me të dhe krijoi trashëgimtarë vëllait tënd".

Leviticus 15:19-23

19 Në qoftë se një grua ka një fluks në trupin e saj, dhe ky është një fluks gjaku, papastërtia e saj do të zgjasë shtatë ditë; kushdo që e prek atë do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 20 Çfarëdo gjë mbi të cilën ajo shtrihet gjatë papastërtisë së saj, do të jetë e papastër; çfarëdo gjë mbi të cilën ulet, do të jetë e papastër. 21 Kushdo që prek shtratin e saj do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 22 Kushdo që prek çfarëdo gjë mbi të cilën ajo është ulur, do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë; do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 23 Kur ajo është ulur mbi shtrat ose mbi çfarëdo gjë tjetër, kur dikush e prek atë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

Leviticus 20:10

10 Në rast se ndonjëri shkel kurorën me gruan e një tjetri, në qoftë se shkel kurorën me gruan e fqinjit të tij, shkelësi dhe shkelësja e kurorës do të dënohen me vdekje.

Leviticus 18:18

18 Nuk do të marrësh një grua bashkë me të motrën për ta bërë shemër, duke zbuluar lakuriqësinë e saj ndërsa tjetra është akoma gjallë.

Leviticus 12:2-5

2 "Folu kështu bijve të Izraelit: Në qoftë se një grua mbetet me barrë dhe lind një mashkull, do të jetë e papastër për shtatë ditë, do të jetë e papastër si në ditët e zakoneve të saj. 3 Ditën e tetë do të rrethpritet mishi i prepucit të djalit. 4 Pastaj ajo do të rrijë akoma tridhjetë e tre ditë për të pastruar gjakun e saj; nuk do të prekë asnjë send të shenjtë dhe nuk do të hyjë në shenjtëroren, deri sa të plotësohen ditët e pastrimit të saj. 5 Por në rast se lind një vajzë, ajo do të jetë e papastër dy javë si në kohën e zakoneve të saj; dhe do të rrijë gjashtëdhjetë ditë për t'u pastruar nga gjaku.

Leviticus 20:9

9 Kushdo që mallkon të atin ose të ëmën, do të dënohet me vdekje, sepse ka mallkuar të atin o të ëmën; gjaku i tij do të bjerë mbi të.

Numbers 5:11-31

11 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 12 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në qoftë se një grua i dredhon burrit të saj dhe kryen një pabesi kundrejt tij, 13 dhe një burrë ka marrëdhënie seksuale me të, por kjo gjë është bërë fshehurazi nga burri i saj; kur fëlliqësia e saj mbetet e fshehtë, sepse nuk ka asnjë dëshmitar kundër saj dhe nuk është kapur në flagrancë, 14 në qoftë se një ndjenjë zilie e zë dhe bëhet xheloz për gruan e tij që është fëlliqur; ose në qoftë se një ndjenjë zilie e zë dhe ai bëhet xheloz për gruan e tij edhe sikur ajo të mos jetë fëlliqur, 15 burri do ta çojë gruan e tij te prifti dhe do t'i japë atij një ofertë për atë: një të dhjetën e një efe miell elbi; nuk do t'i derdhë sipër vaj ulliri as do t'i vërë sipër temjan, sepse është një blatim ushqimor për xhelozi, një blatim përkujtimor, i caktuar për të kujtuar një faj. 16 Prifti do ta afrojë gruan dhe do ta mbajë më këmbë përpara Zotit. 17 Pastaj prifti do të marrë ujë të shenjtë nga një enë prej dheu; do të marrë gjithashtu ca pluhur që ndodhet mbi dyshemenë e tabernakullit dhe do ta hedhë në ujë. 18 pastaj prifti do ta mbajë në këmbë gruan para Zotit, do t'i zbulojë kokën dhe do të vërë në duart e saja blatimin përkujtimor, që është blatimi ushqimor për xhelozinë, ndërsa prifti do të mbajë në dorë ujin e hidhur që sjell mallkimin. 19 Pastaj prifti do ta vërë gruan të betohet dhe do t'i thotë: "Në qoftë se asnjë burrë s'ka rënë në shtrat me ty dhe nuk je larguar nga rruga e drejtë për t'u fëlliqur, ndërsa ishe e martuar me burrin tënd, je e përjashtuar nga çdo efekt i dëmshëm i këtij uji të hidhur që sjell mallkimin. 20 Por në se ti je shthurur, ndërsa ishe e martuar me burrin tënd, dhe je fëlliqur me një burrë që nuk është bashkëshorti yt ka pasur marrëdhënie seksuale me ty", 21 atëherë prifti do ta vërë gruan të betohet me një betim mallkimi dhe do t'i thotë: "Zoti të bëftë objekt mallkimi dhe nëme midis popullit tënd, kur do të bëjë të të dobësohen ijet dhe të fryhet barku yt; 22 dhe ky ujë që sjell mallkimin hyftë në zorrët e tua, të bëftë të fryhet barku yt dhe dobësoftë ijet e tua!". Dhe gruaja do të thotë: "Amen! Amen!". 23 Pastaj prifti do t'i shkruajë këto mallkime mbi një rrotull dhe do t'i zhdukë në ujin e hidhur. 24 Pas kësaj do t'i japë gruas për të pirë ujë të hidhur që sjell mallkimin dhe ky ujë që sjell mallkimin do të hyjë në të për të prodhuar hidhërim; 25 pastaj prifti do të marrë nga duart e gruas blatimin e ushqimit për xhelozinë, do ta tundë blatimin para Zotit dhe do t'ia ofrojë në altar; 26 prifti do të marrë nga duart e gruas një grusht të blatimit ushqimor si kujtim dhe do ta tymosë mbi altar; pastaj do t'i japë gruas ujë për të pirë. 27 Mbas pirjes së ujit, do të ndodhë që, në se ajo është fëlliqur dhe ka kryer një pabesi ndaj burrit të saj, uji që sjell mallkimin do të hyjë në trupin e saj për të prodhuar hidhërim; barku i saj do të fryhet, ijët e saj do të dobësohen dhe ajo grua do të bëhet një mallkim në mes të popullit të saj. 28 Por në qoftë se gruaja nuk është fëlliqur dhe është e pastër, ajo do të njihet si e pafajshme dhe do të ketë fëmijë. 29 Ky është ligji për xhelozinë, në rastin kur gruaja, duke qenë e martuar me një burrë, merr rrugë të keqe dhe fëlliqet, 30 ose në rastin kur ndjenja e xhelozisë e zë një burrë dhe ky bëhet xheloz për gruan e tij; ai do ta paraqesë gruan e tij para Zotit dhe prifti do të zbatojë me të plotësisht këtë ligj. 31 Bashkëshorti nuk do të ketë asnjë faj, por e shoqja do të marrë dënimin e paudhësisë së saj".

Numbers 27:1-11

1 Pastaj u afruan bijat e Tselofehadit, birit të Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, i familjeve të Manasit, birit të Jozefit; dhe këto janë emrat e bijave: Mahlah, Noah, Hoglah, Milkah dhe Thirtsah, 2 dhe ato u paraqitën para Moisiut, para priftit Eleazar, prijësve dhe tërë asamblesë në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe thanë: 3 "Ati ynë vdiq në shkretëtirë, por nuk bënte pjesë në grupin e atyre që u mblodhën kundër Zotit, në grupin e Koreut, por vdiq për shkak të mëkatit të tij pa patur bij. 4 Pse duhet të humbasë emri i atit tonë në mes të familjes së tij nga që nuk pati bij? Na jep, pra, një pronë në mes të vëllezërve të atit tonë". 5 Atëherë Moisiu e shtroi rastin e tyre para Zotit. 6 Dhe Zoti i foli Moisiut duke i thënë: 7 "Bijat e Tselofehadit kanë hak. Po, do t'u japësh atyre si trashëgimi një pronë midis vëllezërve të atit të tyre dhe do t'u kalosh atyre trashëgiminë e atit të tyre. 8 Do t'u flasësh gjithashtu bijve të Izraelit dhe do t'u thuash: "Kur një njeri vdes pa lënë ndonjë bir, trashëgiminë e tij do t'ia kaloni bijës së tij. 9 Në qoftë se nuk ka asnjë bijë, trashëgiminë e tij do t'ua jepni vëllezërve të tij. 10 Në rast se nuk ka vëllezër, trashëgiminë e tij do t'ua jepni vëllezërve të atit të tij. 11 Dhe në rast se ai nuk ka asnjë vëlla, trashëgiminë e tij do t'ia jepni fisit më të afërt të familjes së tij; dhe ai do ta zotërojë". Kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një formë e së drejtës, ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun.

Leviticus 21:13-15

13 Do të marrë për grua një virgjëreshë. 14 Nuk do të marrë as grua të ve, as të ndarë nga burri, as grua faqenxirë, as kurvë; por do të marrë për grua një virgjëreshë nga populli i tij. 15 Nuk do të turpërojë trashëgimtarët e tij në mes të popullit; sepse unë jam Zoti që ju shenjtëron".

Numbers 30:2-15

2 "Kur dikush lidh një kusht me Zotin ose lidh një detyrim duke u betuar, nuk do ta shkelë fjalën e tij, por do të bëjë gjithçka ka dalë nga goja e tij. 3 Kur një femër lidh një kusht me Zotin dhe lidh një detyrim ndërsa është ende në shtëpinë e të atit, gjatë rinisë së saj, 4 në qoftë se i ati, duke mësuar kushtin e saj dhe detyrimin me të cilën është lidhur, nuk thotë asgjë lidhur me këtë, tërë kushtet e saj do të jenë të vlefshme dhe do të mbeten të vlefshme tërë detyrimet me të cilat është lidhur. 5 Por në qoftë se i ati, ditën që e mëson, i kundërvihet asaj, të gjitha kushtet e saj dhe të gjitha detyrimet me të cilat është lidhur, nuk do të jenë të vlefshme; dhe Zoti do ta falë, sepse i ati iu kundërvu. 6 Por në qoftë se ajo martohet ndërsa është e lidhur me kushte ose ka një detyrim të lidhur në mënyrë të paarsyeshme me buzët e saja, 7 dhe në qoftë se bashkëshorti i saj e di dhe ditën që e merr vesh nuk thotë asgjë lidhur me të, kushtet e saj do të mbeten të vlefshme njëlloj si detyrimet me të cilat ajo është lidhur. 8 Por në qoftë se bashkëshorti i saj, ditën që e mëson, i kundërvihet, ai do të anulojë kushtin që ajo ka lidhur dhe detyrimin që ka marrë në mënyrë të paarsyeshme me buzët e saj; dhe Zoti do ta falë. 9 Por kushti i një gruaje të ve ose e një gruaje të ndarë, cilido qoftë detyrimi me të cilin është lidhur, do të mbetet i vlefshëm 10 Në qoftë se ajo lidh një kusht në shtëpinë e bashkëshortit të saj, ose merr përsipër një detyrim me betim, 11 dhe i shoqi e ka marrë vesh, në qoftë se i shoqi nuk thotë asgjë lidhur me këtë dhe nuk i kundërvihet, të gjitha kushtet e saj do të mbeten të vlefshme ashtu si edhe detyrimet që ka marrë përsipër. 12 Por në qoftë se i shoqi i anulon ditën që i ka marrë vesh të gjitha ato që kanë dalë nga buzët e saj, qofshin kushte apo detyrime me të cilat është lidhur; këto nuk do të jenë të vlefshme, bashkëshorti i saj i ka anuluar dhe Zoti do ta falë. 13 Bashkëshorti mund të konfirmojë dhe të anulojë çfarëdo kushti dhe çfarëdo betimi që lidh gruan e tij, që synon ta mundojë personin e saj. 14 Por në qoftë se bashkëshorti, çdo ditë që kalon, nuk thotë asgjë lidhur me këtë, ai konfirmon në këtë mënyrë tërë kushtet dhe detyrimet me të cilat ajo është lidhur; i konfirmon sepse nuk ka thënë asgjë lidhur me to ditën që i ka marrë vesh. 15 Por në qoftë se i anulon mbasi i ka marrë vesh, do të mbajë peshën e mëkatit të bashkëshortes së tij"".

Deuteronomy 22:22

22 Në rast se një burrë gjendet në shtrat me një grua të martuar, do të vriten që të dy, si burri që ka rënë me gruan dhe gruaja. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri i Izraelit.

Deuteronomy 22:13-21

13 Në qoftë se një burrë martohet me një grua, hyn tek ajo dhe pastaj fillon ta urrejë, 14 dhe e padit për gjëra të turpshme dhe i nxjerr një nam të keq, duke thënë: "Mora këtë grua, por kur iu afrova nuk gjeta tek ajo shenjat e virgjërisë", 15 babai dhe nëna e së resë do të marrin shenjat e virgjërisë së saj dhe do t'ua tregojnë pleqve të qytetit, te porta; 16 dhe babai i së resë do t'u thotë pleqve: "Unë ia dhashë time bijë për grua këtij burri, por ai filloi ta urrejë, 17 dhe tani e akuzon për gjëra të turpshme, duke thënë: Nuk gjeta tek jote bijë shenjat e virgjërisë; por këto janë shenjat e virgjërisë të bijës sime". Dhe do të shpalosin çarçafin përpara pleqve të qytetit. 18 Atëherë pleqtë e atij qyteti do të marrin bashkëshortin dhe do ta dënojnë me rrahje; 19 dhe duke qenë se i ka hapur një nam të keq një virgjëreshe të Izraelit, do t'i vënë një gjobë prej njëqind siklash argjendi, që do t'ia japin të atit të së resë; kështu ajo do të mbetet bashkëshorte e tij dhe ai nuk do të mund ta përzërë deri sa të rrojë. 20 Por në qoftë se vërtetohet fakti dhe tek e reja nuk janë gjetur shenjat e virgjërisë, 21 atëherë do ta nxjerrin të renë te pragu i shtëpisë së babait të saj dhe njerëzit e qytetit të saj do ta vrasin me gurë, dhe ajo ka për të vdekur, sepse ka kryer një vepër të turpshme në Izrael, duke u bërë kurvë në shtëpinë e atit të saj. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri juaj

Deuteronomy 22:28-30

28 Në rast se një burrë gjen një vajzë të virgjër që nuk është e fejuar, e merr dhe bie në shtrat me të, dhe kapen në flagrancë, 29 burri që është shtrirë me të do t'i japë atit të vajzës pesëdhjetë sikla argjendi dhe ajo do të bëhet bashkëshortja e tij, sepse e ka çnderuar dhe nuk mund ta përzërë sa të jetë gjallë. 30 Asnjeri nuk ka për të marrë gruan e atit të tij, as ka për të ngritur skajin e mbulesës së atit të tij".

Deuteronomy 24:1-4

1 "Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t'ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj; 2 në qoftë se ajo del nga shtëpia e saj dhe bëhet bashkëshorte e një burri tjetër, 3 në rast se bashkëshorti i fundit fillon ta urrejë, ai shkruan për të një shkresë ndarjeje, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia e tij, ose në se bashkëshorti i fundit që e kishte marrë për grua vdes, 4 burri i parë që e kishte dëbuar nuk do të mund ta marrë përsëri për grua, pasi ajo është ndotur, sepse kemi të bëjmë me një akt të neveritshëm në sytë e Zotit; dhe ti nuk do ta njollosësh me mëkat vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

1 Kings 11:3

3 Ai pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind konkubina; dhe bashkëshortet e tij ia çoroditën zemrën.

2 Samuel 5:13

13 Pas arritjes së tij nga Hebroni, Davidi mori konkubina dhe bashkëshorte të tjera nga Jeruzalemi dhe kështu i lindën bij dhe bija të tjera.

Proverbs 15:20

20 Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën.

Proverbs 13:1

1 Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin.

Ecclesiastes 7:26-28

26 dhe gjeta një gjë më të hidhur se vdekja; gruan zemra e së cilës është kurth dhe grackë dhe duart e së cilës janë pranga. Kush i pëlqen Perëndisë i shpëton asaj; por mëkatari do të kapet nga ajo. 27 Ja ajo që gjeta", thotë Predikuesi, "duke i shqyrtuar një për një gjërat, për të gjetur shkakun e tyre. 28 Atë që unë po kërkoj ende, por nuk e kam gjetur; një burrë ndër një mijë e gjeta, por një grua në mes gjithë atyre nuk e gjeta.

Isaiah 54:4

4 Mos u frikëso, sepse nuk do të ngatërrohesh; mos ki turp, sepse nuk do të skuqesh; do të harrosh madje turpin e rinisë sate dhe nuk do ta kujtosh më çnderimin e vejërisë sate.

Mark 3:31-35

31 Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin. 32 Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: ''Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë''. 33 Por ai u përgjigj atyre duke thënë: ''Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?''. 34 Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: ''Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi! 35 Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!''.

Matthew 5:32

32 Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.

Luke 14:26

26 ''Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.

1 Corinthians 14:34-35

34 Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji. 35 Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është e turpshme për gratë të flasin në kishë.

Proverbs 6:20-7:27

20 Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate. 21 Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate. 22 Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty. 23 Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës, 24 për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj. 25 Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj. 26 Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri. 27 A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit? 28 A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij? 29 Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. 30 Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur; 31 por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij. 32 Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij. 33 Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t'i hiqet kurrë. 34 sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes. 35 Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t'i bëjnë shumë dhurata.

Proverbs 7:1-27

1 Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde, 2 Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu. 3 Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate. 4 Thuaji diturisë: "Ti je motra ime" dhe quaje "shok" gjykimin, 5 me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare. 6 Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri 7 dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s'kishte gjykim, 8 që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj, 9 në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët. 10 I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake; 11 ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t'i mbajë këmbët në shtëpinë e saj; 12 herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe. 13 Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha: 14 "Duhet të bëja flijimet e falenderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia; 15 prandaj të dola para që të të kërkoj dhe të gjeta. 16 E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti; 17 e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë. 18 Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie, 19 sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë; 20 ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë". 21 Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj. 22 Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait, 23 deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij. 24 Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime. 25 Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj, 26 sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë. 27 Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes.

1 Corinthians 11:3-10

3 Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia. 4 Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij. 5 Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar. 6 Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t'ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet. 7 Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit, 8 sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, 9 edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. 10 Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet.

1 Timothy 2:11-14

11 Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje. 12 Në fakt së pari u formua Adami dhe më pas Eva. 13 Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje. 14 Megjithatë ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe në shenjtërim me modesti.

1 Chronicles 7:24

24 Ai pati si vajzë Sheerahën që ndërtoi Beth-Horonin e poshtëm dhe të sipërm si edhe Uzen-Sheerahun.

Proverbs 1:20-21

20 Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe; 21 ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;

Luke 10:38-42

38 Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: ''Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë''. 41 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ''Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra; 42 por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t'i hiqet''.

Topical data is from OpenBible.info, retrieved November 11, 2013, and licensed under a Creative Commons Attribution License.