Bible verses about "genesis" | Albanian

Genesis 20:1-18

1 Abrahami u zhvendos së këtejmi duke vajtur në Negev, dhe banoi në Kadesh dhe në Shur mandej u vendos në Gerar. 2 Tani Abrahami thoshte për Sarën, gruan e tij: "Éshtë motra ime". Kështu Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz për të marrë Sarën. 3 Por Perëndia iu shfaq Abimelekut në një ëndërr nate dhe i tha: "Ja, ti je duke vdekur, për shkak të gruas që ke marrë, sepse ajo është e martuar". 4 Por Abimeleku nuk i ishte afruar asaj dhe tha: "Zot, a do ta shkatërroje një komb, edhe sikur ai të ishte i drejtë? 5 Ai nuk më ka thënë: "Éshtë motra ime", dhe ajo vetë ka thënë: "Éshtë vëllai im"? E bëra këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sime dhe me duar të pafajshme". 6 Dhe Perëndia i tha në ëndërr: "Po, unë e di që e ke bërë këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sate, ndaj të ndalova të kryesh një mëkat kundër meje; ndaj nuk të lejova ta prekësh. 7 Tani ktheja gruan këtij njeriu, sepse ai është një profet; dhe do të lutet për ty dhe ti ke për të jetuar. Por, në rast se nuk ia kthen, dije që me siguri ke për të vdekur, ti dhe tërë njerëzit e tu". 8 Kështu Abimeleku u zgjua herët në mëngjes, thirri gjithë shërbëtorët e tij dhe u tregoi tërë këto gjëra. Dhe ata njerëz i zuri një frikë e madhe. 9 Pastaj Abimeleku thirri Abrahamin dhe i tha: "Ç'na bëre? Dhe çfarë kam bërë unë kundër teje që më solle një mëkat kaq të madh si mua ashtu edhe mbretërisë sime? Ti më bëre gjëra që nuk duheshin bërë". 10 Pastaj Abimeleku i tha Abrahamit: "Çfarë mendoje të bëje duke vepruar në këtë mënyrë?". 11 Abrahami u përgjegj: "E bëra sepse thoja me veten time: "Sigurisht, në këtë vend nuk kanë frikë nga Perëndia; dhe do të më vrasin për shkak të gruas sime". 12 Përveç kësaj ajo është në të vërtetë motra ime, bijë e babait tim, por jo bijë e nënës sime; dhe pastaj u bë gruaja ime. 13 Dhe kur Perëndia më çoi të bredh larg shtëpisë së babait tim, unë i thashë: "Ky është favori që do të më bësh; kudo që të shkojmë, do të thuash për mua: Éshtë vëllai im"". 14 Atëherë Abimeleku mori dhentë, qetë, shërbyesit dhe shërbëtoret, dhe ia dha Abrahamit; dhe i kthehu gruan e tij Sara. 15 Pastaj Abimeleku tha: "Ja, vendi im të qëndron përpara; qëndro aty ku të pëlqen". 16 Dhe Sarës i tha: "Ja, unë i dhashë vëllait tënd njëmijë copë argjendi; kjo do të shërbejë për të mbuluar fyerjen që të është bërë para të gjithë atyre që janë me ty; kështu je e përligjur para të gjithëve". 17 Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia shëroi Abimelekun, gruan e tij dhe shërbyeset e saj, dhe ato mundën të pjellin. 18 Sepse Zoti e kishte shterpëzuar plotësisht tërë shtëpinë e Abimelekut, për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.

Genesis 50:20

20 Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t'i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.

Genesis 10:1-32

1 Këta janë pasardhësit e bijve të Noeut: Semit, Kamit dhe Jafetit; mbas përmbytjes, atyre u lindën fëmijë. 2 Jafeti pati si bij: Gomerin, Magogun, Madainin, Javanin, Tubalin, Meshekun dhe Tirasin. 3 Bijtë e Gomerit qenë: Ashkenazi, Rifathi dhe Togarmahu. 4 Bijtë e Javanit qenë: Elishami, Tarshishi, Kitimi dhe Dodanimi. 5 Prej tyre rrjedhin popujt e shpërndarë në ishujt e kombeve, në vendet e tyre të ndryshme, secili simbas gjuhës së vet, simbas familjeve të tyre dhe kombeve të tyre. 6 Bijtë e Kamit qenë: Kushi, Mitsraimi, Puti dhe Kanaani. 7 Bijtë e Kushit qenë: Seba, Havilahu, Sabtahu, Raamahu dhe Sabtekahu; dhe bijtë e Raamahut qenë: Sheba dhe Dedani. 8 Kushit i lindi Nimrodi, që filloi të jetë një njeri i fuqishëm mbi tokë. 9 Ai qe një gjahtar i fuqishëm para Zotit; prandaj thuhet: "Si Nimrodi, gjahtari i fuqishëm para Zotit". 10 Dhe fillimi i mbretërimit të tij qe Babeli, Ereku, Akadi dhe Kalmehu në vendin e Shinarit. 11 Nga ky vend shkoi në Asiri dhe ndërtoi Ninivën, Rehoboth-Irin dhe Kalahun; 12 midis Ninivës dhe Kalahut ndërtoi Resenin (që është qyteti i madh). 13 Mitsraimit i lindën Ludimët, Ananimët, Lehabimët, Nuftuhimët, 14 Pathrusimët, Kasluhimët (prej të cilëve dolën Filistejtë) dhe Kaftorimët. 15 Kanaanit i lindi Sidoni, i parëlinduri i tij, dhe Heti, 16 dhe Gebusejtë, Amorejtë, Girgasejtë, 17 Hivejtë, Arkejtë, Sinejtë, 18 Arvadejtë, Cemarejtë dhe Hamathejtë. Pastaj familjet e Kanaanëve u shpërndanë. 19 Dhe kufijtë e Kanaanëve shkuan nga Sidoni, në drejtim të Gerarit, deri në Gaza; dhe në drejtim të Sodomës, Gomorës, Admës dhe Ceboimoit deri në Lesha. 20 Këta janë bijtë e Kamit, simbas familjeve të tyre, simbas gjuhëve të tyre, në vendet e tyre, në kombet e tyre. 21 Edhe Semit, babai i të gjithë fëmijëve të Eberit dhe vëlla madhor i Jafetit, i lindën bij. 22 Bijtë e Semit qenë: Elami, Asuri, Arpakshadi, Ludi dhe Arami. 23 Bijtë e Aramit qenë: Uzi, Huli, Getheri dhe Mashi. 24 Nga Arpakshadi lindi Shelahu dhe nga Shelahu Eberi. 25 Eberit i lindën dy bij; emri i njërit prej tyre ishte Peleg, sepse në ditët e tij toka u nda, dhe emri i të vëllait ishte Joktan. 26 Nga Joktani lindën Almodadi, Shelefi, Hatsarmavethi dhe Jerahu, 27 Hadorami, Uzali, Diklahu, 28 Obali, Abimaeli, Sheba, 29 Ofiri, Havilahu dhe Jobabi. Tërë këta qenë bij të Joktanit. 30 Dhe vendbanimi i tyre qe mali lindor, nga Mesha deri në Sefar. 31 Këta janë bijtë e Semit, simbas familjeve të tyre, simbas gjuhëve të tyre, në vendet e tyre simbas kombëve të tyre. 32 Këto janë familjet e bijve të Noeut, simbas brezave të tyre, në kombet e tyre; dhe prej tyre dolën kombet që u shpërndanë në tokë mbas përmbytjes.

Genesis 20:1

1 Abrahami u zhvendos së këtejmi duke vajtur në Negev, dhe banoi në Kadesh dhe në Shur mandej u vendos në Gerar.

1 John 3:1-2

1 Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai. 2 Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit.

1 John 1:1-10

1 Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. 2 Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë. 3 Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë 4 Po të themi se kemi bashkësi me Të, dhe ecim në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e vëmë në praktik të vërtetën; 5 por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. 6 Po të themi se jemi pa mëkat, gënjej-më vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. 7 Po t'i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. 8 Po të themi se s'kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne. 9 Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin. 10 Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.

Genesis 48:1-22

1 Mbas këtyre gjërave, ndodhi që i thanë Jozefit: "Ja, ati yt është i sëmurë". Kështu ai mori me vete dy bijtë e tij, Manasin dhe Efraimin. 2 Kur i thanë Jakobit: "Ja, biri yt Jozefi po vjen te ti", Izraeli mblodhi tërë forcat dhe u ul mbi shtratin e tij. 3 Atëherë Jakobi i tha Jozefit: "Perëndia i plotfuqishëm m'u shfaq në Luc, në vendin e Kanaanit, më bekoi 4 dhe më tha: "Ja, unë do të të bëj frytdhënës, do të të shumoj, do të bëj prej teje një shumicë popujsh dhe do t'u jap këtë vend pasardhësve të tu pas teje, si pronë përjetë". 5 Tani dy bijtë e tu, që të kanë lindur në vendin e Egjiptit para se unë të vija tek ti në Egjipt, janë të mitë. Efraimi dhe Manasi janë të mitë, ashtu si Rubeni dhe Simeoni. 6 Por bijtë që ke lindur mbas tyre do të jenë të tutë; në territorin e trashëgimisë së tyre do të thirren me emrin e vëllezërve të tyre. 7 Sa për mua, ndërsa po kthehesha nga Padani, Rakela vdiq pranë meje gjatë udhëtimit, në vendin e Kanaanit, aty afër Efratës; dhe e varrosa atje, në rrugën e Efratës, që është Betlemi". 8 Kur Izraeli pa bijtë e Jozefit, tha: "Kush janë këta?". 9 Jozefi iu përgjegj të atit: "Janë fëmijët e mi që Perëndia më ka dhënë këtu". Atëherë ai tha: "M'i afro dhe unë do t'i bekoj". 10 Tani sytë e Izraelit ishin venitur për shkak të moshës dhe nuk shihte fare. Jozefi i afroi ata dhe ai i puthi dhe i përqafoi. 11 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Unë nuk mendoja të shikoja përsëri fytyrën tënde, por tani Perëndia më dha mundësinë të shikoj edhe pasardhësit e tu". 12 Jozefi i tërhoqi nga gjunjët e të atit dhe u përul me fytyrën në tokë. 13 Pastaj Jozefi i mori që të dy: Efraimin në të djathtë të tij dhe në të majtë të Izraelit, Manasin në të majtë të tij dhe në të djathtë të Izraelit, dhe i afroi pranë atij. 14 Atëherë Izraeli zgjati dorën e tij të djathtë dhe e vuri mbi kryet e Efraimit që ishte më i riu, dhe vuri dorën e tij të majtë mbi kryet e Manasit duke kryqëzuar duart, ndonëse Manasi ishte i parëlinduri. 15 Kështu bekoi Jozefi dhe tha: "Perëndia, para të cilit ecën etërit e mi Abrahami dhe Isaku, Perëndia që më ka ushqyer qysh prej lindjes sime deri më sot, 16 Engjëlli që më ka çliruar nga çdo e keqe, le t'i bekojë këta fëmijë! Le të quhen me emrin tim dhe me emrin e etërve të mi Abraham dhe Isak, dhe të shumohen fort mbi tokë!". 17 Kur Jozefi pa që i ati kishte vënë dorën e djathtë mbi kokën e Efraimit, kjo nuk i pëlqeu; prandaj ai kapi dorën e atit të tij për ta hequr nga kryet e Efraimit dhe për ta vënë mbi kryet e Manasit. 18 Pastaj Jozefi i tha atit të tij: "Jo kështu, ati im, sepse i parëlinduri është ky këtu; vëre dorën tënde të djathtë mbi kryet e tij". 19 Por i ati refuzoi dhe tha: "E di, biri im, e di; edhe ai do të bëhet një popull, edhe ai do të jetë i madh; megjithatë, vëllai yt më i vogël do të bëhet më i madh se ai, dhe pasardhësit e tij do të bëhen një mori kombesh". 20 Dhe atë ditë i bekoi duke thënë: "Për ty Izraeli ka për të bekuar, duke thënë: "Perëndia të të bëj si Efraimi dhe si Manasi!"". Kështu ai e vuri Efraimin para Manasit. 21 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Ja, unë kam për të vdekur pas pak, por Perëndia do të jetë me ju dhe do t'ju çojë përsëri në vendin e etërve tuaj. 22 Veç kësaj, ty po të jap një pjesë më të madhe në krahasim me vëllezërit e tu, atë që fitova nga Amorejtë me shpatën dhe harkun tim".

Genesis 4:7

7 Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh".

Genesis 8:1-22

1 Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre. 2 Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi. 3 Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar. 4 Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit. 5 Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve. 6 Kështu, mbas dyzet ditësh, ndodhi që Noeu hapi dritaren që kishte bërë në arkë, 7 dhe nisi jashtë korbin, që vazhdoi të shkojë para dhe prapa, deri sa u thanë ujërat mbi tokë. 8 Pastaj lëshoi pëllumbin për të parë në se ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës. 9 Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë, sepse kishte ende ujëra mbi sipërfaqen e tërë tokës; dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës. 10 Priti atëherë shtatë ditë të tjera, pastaj e dërgoi përsëri pëllumbin jashtë arkës. 11 Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja; dhe ja, ai kishte në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë; kështu Noeu kuptoi se ujërat ishin tërhequr nga toka. 12 Atëherë priti shtatë ditë të tjera, pastaj e lëshoi jashtë pëllumbin, por ky nuk u kthye më tek ai. 13 Në vitin e gjashtëqindenjëtë të Noeut, gjatë muajit të parë, në ditën e parë të muajit, ujërat ishin tharë mbi tokë; dhe Noeu e zbuloi arkën, vështroi dhe ja që sipërfaqja e tokës ishte e thatë. 14 Dhe kështu në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të tij, toka ishte e thatë. 15 Atëherë Perëndia i foli Noeut, duke thënë: 16 "Dil nga arka ti, gruaja jote, bijtë e tu dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty. 17 Nxirr me vete tërë kafshët që janë bashkë me ty, të çdo mishi që të jenë: zogj, bagëti dhe tërë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë, me qëllim që të rriten shumë mbi tokë dhe të jenë pjellorë e të shumohen mbi tokë". 18 Kështu Noeu doli me bijtë e tij, me gruan e tij dhe me gratë e bijve të tij. 19 Të gjitha kafshët, të gjithë rrëshqanorët, të gjithë zogjtë, gjthçka lëviz mbi tokë, simbas familjeve të tyre, dolën nga arka. 20 Atëherë Noeu ndërtoi një altar për Zotin, mori nga çdo lloj kafshësh dhe zogjsh të pastër dhe ofroi fli mbi altarin. 21 Dhe Zoti ndjeu një erë të këndshme dhe ai tha në zemër të vet: "Unë nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij; dhe nuk do të godas më çdo gjallesë, siç kam bërë. 22 Deri sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata.

Genesis 1:26-28

26 Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe". 27 Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. 28 Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë".

Genesis 1:1-31

1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. 2 Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave. 3 Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë. 4 Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira. 5 Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë. 6 Pastaj Perëndia tha: "Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t'i ndajë ujërat nga ujërat". 7 Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë. 8 Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore "qiell". Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë. 9 Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë. 10 Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe grumbullimin e ujërave "detë". Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë. 11 Pastaj Perëndia tha: "Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij". Dhe kështu u bë. 12 Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën simbas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë. 13 Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë. 14 Pastaj Perëndia tha: "Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet; 15 dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën". Dhe kështu u bë. 16 Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madhë për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet. 17 Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën, 18 për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. 19 Kështu erdhi mbrëmja dhe erdhi mëngjesi: dita e katërt. 20 Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore". 21 Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili simbas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë. 22 Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: "Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë". 23 Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë. 24 Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, simbas llojit të tyre". Dhe kështu u bë. 25 Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët simbas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. 26 Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe". 27 Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. 28 Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë". 29 Dhe Perëndia tha: "Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t'ju shërbejë si ushqim. 30 Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim". Dhe kështu u bë. 31 Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.

Topical data is from OpenBible.info, retrieved November 11, 2013, and licensed under a Creative Commons Attribution License.