1 Chronicles 23:1-26

Albanian(i) 1 Davidi, tanimë i plakur dhe i velur me ditë, vendosi si mbret mbi Izraelin birin e tij Salomon. 2 Ai mblodhi tërë krerët e Izraelit së bashku me priftërinjtë dhe me Levitët. 3 U llogaritën Levitët tridhjetë vjeç e lart; dhe numri i individëve ishte tridhjetë e tetë mijë. 4 Nga këta, njëzet e katër mijë u caktuan për të drejtuar punimet në shtëpinë e Zotit, gjashtë mijë ishin magjistratë dhe gjyqtarë, 5 katër mijë ishin derëtarë dhe katër mijë duhet të lëvdonin Zotin me veglat që Davidi kishte bërë për ta kremtuar. 6 Davidi i ndau në klasa, sipas bijve të Levit: Gershomi, Kehathi dhe Merari. 7 Nga Gershonitët: Ladani dhe Shimei. 8 Bijtë e Ladanit: Jejeli, i pari, Zethami dhe Joeli; tre gjithsej. 9 Bijtë e Shimeit: Shelomithi, Hazieli dhe Harani; gjithsej tre. Këta ishin të parët e shtëpive atërore të Ladanit. 10 Bijtë e Shimeit: Jahathi, Zina, Jeushi dhe Beriahu. Këta ishin katër bijtë e Shimeit. 11 Jahathi ishte i pari, pas tij vinte Zina; Jeushi dhe Beriahu nuk patën shumë fëmijë, prandaj në regjistrimin përbënin një shtëpi të vetme atërore. 12 Bijtë e Kehathit: Amrami, Itshari, Hebroni dhe Uzieli; gjithsej katër. 13 Bijtë e Amramit: Aaroni dhe Moisiu. Aaroni u nda veç për të shenjtëruar gjërat e shenjta, ai dhe bijtë e tij përjetë, për të djegur temjan përpara Zotit, për t'i shërbyer dhe për të bekuar emrin e tij përjetë. 14 Sa për Moisiun, njeriun e Perëndisë, bijtë e tij u llogaritën në fisin e Levit. 15 Bijtë e Moisiut ishin Gershomi dhe Eliezeri. 16 Nga bijtë e Gershomit, Shebueli ishte i pari. 17 Nga bijtë e Eliezerit, Rehabiahu ishte i pari. Eliezeri nuk pati fëmijë të tjerë, por bijtë e Rehabiahut ishin të shumët. 18 Nga bijtë e Itsharit, Shelomithi ishte i pari. 19 Nga bijtë e Hebroit, Jerijahu ishte i pari, Amariahu i dyti, Jahazieli i treti dhe Jekaneami i katërti. 20 Nga bijtë e Uzielit, Mikahu ishte i pari dhe Ishshiahu i dyti. 21 Bijtë e Merarit ishin Mahli dhe Mushi. Bijtë e Mahlit ishin Eleazari dhe Kishi. 22 Eleazari vdiq dhe nuk la djem, por vetëm vajzat që u martuan me bijtë e Kishit, vëllezër të tyre. 23 Bijtë e Mushit ishin Mahli, Ederi dhe Jeremothi; gjithsej tre. 24 Këta ishin bijtë e Levit sipas shtëpisë të tyre atërore, të parët e shtëpive atërore sipas regjistrimit të popullsisë, që u bë duke i numëruar emrat një për një. Këta ishin të ngarkuar me shërbimin e shtëpisë të Zotit njëzet vjeç e lart. 25 Sepse Davidi kishte thënë: "Zoti, Perëndia i Izraelit, i ka dhënë paqe popullit të tij, në mënyrë që ai të mund të banonte në Jeruzalem përjetë. 26 Kështu Levitët nuk do ta mbartin më tabernakullin dhe tërë objektet e shërbimit të tij".