Ecclesiastes 12:3-7

Albanian(i) 3 në moshën gjatë së cilës rojtarët e shtëpisë dridhen, njerëzit e fortë përkulen, ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak, ata që shikojnë nga dritaret errësohen 4 dhe portat mbi rrugë mbyllen; kur pakësohet zhurma e mokrës, dikush çohet me këngën e një zogu, dhe gjithë bijat e këngës dobësohen; 5 kur dikush ka frikë nga lartësitë dhe nga tmerret e rrugës; kur bajamja lulëzon, karkaleci është një peshë, dhe dëshira pakësohet, sepse njeriu shkon në banesën e tij të përjetshme dhe qaramanët enden rrugëve. 6 Kujto Krijuesin tënd përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus, 7 dhe pluhuri t'i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t'i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.