Albanian(i)
1 Unë thashë në zemrën time: "Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen". Por ja, edhe kjo është kotësi.
2 Për të qeshurit kam thënë: "Éshtë një marrëzi, dhe për gëzimin: "Kujt i shërben?".
3 Kërkova në zemrën time si ta kënaq trupin tim me verë, duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë dhe t'i qepet marrëzisë, deri sa të shoh cila është e mira që bijtë e njerëzve do të duhej të bënin nën qiell tërë ditët e jetës së tyre.
4 Kështu kreva punime të mëdha për vete; ndërtova shtëpi, mbolla vreshta,
5 bëra kopshte dhe parqe, duke mbjellë drurë frutorë të çdo lloji;
6 ndërtova pellgje për ujin me të cilat të mund të vadis pyllin që të rriten drurët.
7 Bleva shërbëtorë dhe shërbëtore dhe u bëra me shërbëtorë që lindën në shtëpi; pata pasuri të mëdha në kope me bagëti të trashë dhe të imët më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem.
8 Grumbullova për vete edhe argjend, ar dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave; gjeta këngëtarë dhe këngëtare, kënaqësitë e bijve të njerëzve, dhe vegla muzikore të çdo lloji.
9 Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem; edhe dituria më mbeti mua.
10 Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë.
11 Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t'i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell.