Exodus 17:2-7

Albanian(i) 2 Atëherë populli u grind me Moisiun dhe i tha: "Na jep ujë për të pirë". Moisiu u përgjigj: "Pse grindeni me mua? Pse tundoni Zotin?". 3 Atje populli pati etje për ujë dhe murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: "Pse na bëre të ikim nga Egjipti që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhe bagëtia jonë?". 4 Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Çfarë të bëj për këtë popull? Edhe pak dhe ata do të më vrasin me gurë". 5 Zoti i tha Moisiut: "Kalo para popullit dhe merr me vete disa pleq nga Izraeli; merr në dorë edhe bastunin me të cilin rrahe lumin, dhe nisu. 6 Ja, unë do të rri përpara teje, atje mbi shkëmbin në Horeb; ti do të rrahësh shkëmbin, prej të cilit do të burojë ujë dhe populli do të pijë". Kështu bëri Moisiu para syve të pleqve të Izraelit. 7 Prandaj e quajti këtë vend Masa dhe Meriba për shkak të grindjeve që pati me bijtë e Izraelit, dhe sepse kishin tunduar Zotin, duke thënë: "A është vallë Zoti në mes nesh, apo jo?".