Ezekiel 12:4-12

Albanian(i) 4 Do të çosh, pra, plaçkat e tua ditën para syve të tyre, bagazhin tënd si bagazh i dikujt që shkon në mërgim; pastaj në mbëmje do të dalësh para syve të tyre, si ata që shkojnë në mërgim. 5 Bëj një vrimë në mur para syve të tyre dhe nëpërmjet kësaj nxirr bagazhin tënd. 6 Do ta mbash mbi kurriz para syve të tyre, do ta çosh jashtë në terr; do të mbulosh fytyrën për të mos shikuar tokën, sepse të kam bërë ty një shenjë për shtëpinë e Izraelit". 7 Unë bëra pikërisht ashtu si më kishte urdhëruar; ditën nxora jashtë bagazhin tim, si bagazhi i dikujt që shkon në mërgim dhe në mbrëmje, me duar, hapa një vrimë në mur; kur u err e çova jashtë bagazhin tim dhe e vura mbi kurriz para syve të tyre. 8 Në mëngjes fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: 9 "Bir njeriu, nuk të ka kërkuar shtëpia e Izraelit, kjo shtëpi rebele: "Çfarë po bën?". 10 U thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ky orakull ka të bëjë me princin që është në Jeruzalem dhe me tërë shtëpinë e Izraelit që banon aty". 11 Thuaj: Unë jam një shenjë për ju; ashtu si bëra unë, kështu do t'u bëhet atyre: ata do të shkojnë në mërgim, në robëri. 12 Princi që është në mes tyre do të mbajë bagazhin e tij mbi kurriz në terr dhe do të dalë; do të bëjnë një vrimë në mur që ai të dalë nëpërmjet saj; ai do të mbulojë fytyrën për të mos parë tokën me sytë e tij.