John 1:19-34

Albanian(i) 19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: ''Kush je ti?''. 20 Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: ''Unë nuk jam Krishti''. 21 Atëherë ata e pyetën: ''Kush je, pra? A je Elia?''. Ai tha: ''Nuk jam!''. ''Je ti profeti?''. Dhe ai përgjigjej: ''Jo!''. 22 Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti, që t'u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç'thua për veten tënde?''. 23 Ai u përgjigj: ''Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia''. 24 Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë; 25 ata e pyetën dhe i thanë: ''Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?''. 26 Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: ''Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni. 27 Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t'ia zgjidh lidhësen e sandaleve''. 28 Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte. 29 Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: ''Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës! 30 Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!". 31 Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t'i zbulohet Izraelit''. 32 Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ''E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të. 33 Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë". 34 Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë''.