John 8:19-17:26

Albanian(i) 19 Atëherë i thanë: ''Ku është Ati yt?''. Jezusi u përgjigj: ''Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim''. 20 Jezusi i shprehu këto fjalë në vendin e thesarit, duke mësuar në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur akoma ora. 21 Jezusi, pra, u tha atyre përsëri: ''Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini''. 22 Prandaj Judenjtë thoshnin: ''Mos don të vrasë veten, sepse thotë: "Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini"?''. 23 Dhe ai u tha atyre: ''Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote. 24 Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja''. 25 Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti?''. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Pikërisht atë që ju thashë. 26 Shumë gjëra kam për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju; por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe gjërat që kam dëgjuar nga ai, ia them botës''. 27 Ata nuk e kuptuan se ai po u fliste atyre për Atin. 28 Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, dhe se nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar. 29 Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s'më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë''. 30 Ndërsa ai thoshte këto gjëra, shumë veta besuan në të. 31 Atëherë Jezusi u tha Judenjve që besuan në të: ''Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; 32 do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë''. 33 Ata iu përgjigjën: ''Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe s'kemi qenë kurrë sk-llevër të askujt; si mund të thuash ti: "Do të bëheni të lirë"?''. 34 Jezusi u përgjigj atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit. 35 Por skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi; ndërsa biri rri përgjithmonë. 36 Pra, nëse Biri do t'ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë''. 37 ''Unë e di se jeni pasardhësit e Abrahamit, por ju kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. 38 Unë flas për ç'kam parë tek Ati im, dhe ju bëni gjërat që keni parë tek ati juaj''. 39 Ata, duke u përgjigjur, i thanë: ''Ati ynë është Abrahami''. Jezusi u tha atyre: ''Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit; 40 por ju tani kërkoni të më vrisni mua, që ju kam folur të vërtetën që kam dëgjuar nga Perëndia; Abrahami këtë nuk e bëri. 41 Ju bëni veprat e atit tuaj''. Prandaj ata i thanë: ''Ne nuk lindëm nga kurvërimi; ne kemi një Atë të vetëm: Perëndinë''. 42 Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar. 43 Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time. 44 Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës. 45 Kurse mua, duke qenë se ju them të vërtetën, nuk më besoni. 46 Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse flas të vërtetën, përse nuk më besoni? 47 Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë''. 48 Atëherë Judenjtë iu përgjigjën dhe i thanë: ''A nuk themi me të drejtë se ti je Samaritan dhe se ke një demon?''. 49 Jezusi u përgjigj: ''Unë s'kam një demon, por nderoj Atin tim; ju përkundrazi më çnderoni. 50 Tani unë nuk kërkoj lavdinë time, ka kush e kërkon dhe gjykon. 51 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë''. 52 Pra Judenjtë i thanë: ''Tani njohim se ti ke një demon. Abrahami dhe profetët kanë vdekur, kurse ti thua: "Kur njëri zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen, përjetë". 53 Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham, i cili ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur; kush pretendon se je?''. 54 Jezusi u përgjigj: ''Në qoftë se unë e përlëvdoj veten, lavdia ime s'është asgjë. Éshtë Ati im ai që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj. 55 Por ju ende s'e keni njohur, kurse unë e njoh dhe, po të thoja se nuk e njoh, do të isha një gënjeshtar si ju; por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij. 56 Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua''. 57 Judenjtë, pra, i thanë: ''Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?''. 58 Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam''. 59 Atëherë ata morën gurë, që t'i hidhnin kundër tij; por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli, duke kaluar midis tyre; dhe kështu u largua. 9 1 Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja. 2 Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?''. 3 Jezusi u përgjigj: ''As ai, as prindërit e tij s'kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë. 4 Unë duhet t'i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. 5 Derisa jam në botë, unë jam drita e botës''. 6 Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të. 7 Pastaj i tha: ''Shko, lahu në pellgun e Siloamit'' (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë. 8 Atëherë fqinjtë dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: ''A s'është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?''. 9 Disa thoshnin: ''Ai është''. Të tjerë: ''I përngjan atij''. Dhe ai thoshte: ''Unë jam''. 10 I thanë pra: ''Si të janë hapur sytë?''. 11 Ai u përgjigj dhe tha: ''Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m'i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m'u kthye drita e syve''. 12 Dhe ata i thanë: ''Ku është ai?''. Ai u përgjigj: ''Nuk e di''. 13 Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër. 14 Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë. 15 Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: ''Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh''. 16 Atëherë disa farisenj thanë: ''Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!''. Të tjerë thoshnin: ''Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?''. Dhe kishte përçarje midis tyre. 17 E pyetën, pra, përsëri të verbrin: ''Po ti, ç'thua për atë për faktin që t'i ka hapur sytë?''. Ai tha: ''Éshtë një profet''. 18 Por Judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve. 19 Dhe i pyetën ata: ''A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?''. 20 Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: ''E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër, 21 por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t'ju flasë për veten e vet''. 22 Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga. 23 Prandaj prindërit e tij thanë: ''Moshë ka, pyeteni atë''. 24 Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: ''Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar''. 25 Ai atëherë u përgjigj dhe tha: ''Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh''. 26 E pyetën përsëri: ''Ç'të bëri? Si t'i ka hapur sytë?''. 27 Ai u përgjigj atyre: ''Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?''. 28 Por ata e fyen dhe thanë: ''Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut! 29 Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është''. 30 Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: ''E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m'i hapi sytë! 31 Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush është i druajtshëm ndaj Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon! 32 Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t'ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër. 33 Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë''. 34 Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Ti ke lindur i tëri në mëkate e don të na mësosh?''. Dhe e nxorën jashtë. 35 Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: ''A beson ti në Birin e Perëndisë?''. 36 Ai u përgjigj dhe tha: ''Kush është, Zot, që unë të besoj në të?''. 37 Dhe Jezusi i tha: ''Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet''. 38 Atëherë ai tha: ''Unë besoj, o Zot''; dhe e adhuroi. 39 Pastaj Jezusi tha: ''Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen''. 40 Disa nga farisenjtë që ishin me të i dëgjuan këto gjëra dhe i thanë: ''Jemi të verbër edhe ne?''. 41 Jezusi u përgjigj atyre: ''Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat; por tani thoni: "Ne shohim", prandaj mëkati juaj mbetet''. 10 1 ''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar; 2 kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve. 3 Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë. 4 Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij. 5 Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve''. 6 Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste. 7 Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. 8 Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar. 9 Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë. 10 Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. 11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet. 12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet. 13 Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t'ia dijë për delet. 14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, 15 ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet. 16 Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t'i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm. 17 Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im''. 19 Atëherë lindi përsëri një përçarje midis Judenjve për shkak të këtyre fjalëve. 20 Dhe shumë nga ata thoshnin: ''Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?''. 21 Të tjerë thoshnin: ''Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t'ua hap sytë të verbërve?''. 22 U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër. 23 Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit. 24 E rrethuan, pra, Judenjtë dhe i thanë: ''Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas''. 25 Jezusi u përgjigj atyre: ''Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua. 26 Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë. 27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; 28 dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. 29 Ati im, që m'i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t'i rrëmbejë nga dora e Atit tim. 30 Unë dhe Ati jemi një''. 31 Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë. 32 Jezusi u përgjigj atyre: ''Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?''. 33 Judenjtë u përgjigjën duke thënë: ''Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi''. 34 Jezusi u përgjigj atyre: ''A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"? 35 Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë), 36 ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"? 37 Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, 38 por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë''. 39 Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre. 40 Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty. 41 Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshnin: ''Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë''. 42 Dhe atje shumë veta besuan në të. 11 1 Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj. 2 Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë. 3 Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: ''Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë''. 4 Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: ''Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë''. 5 Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin. 6 Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte. 7 Pastaj u tha dishepujve: ''Të kthehemi përsëri në Jude''. 8 Dishepujt i thanë: ''Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?''. 9 Jezusi u përgjigj: ''Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote, 10 por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të''. 11 Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: ''Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj''. 12 Atëherë dishepujt e tij thanë: ''Zot, po të flejë, do të shpëtojë''. 13 Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit. 14 Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: ''Llazari ka vdekur. 15 Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai''. 16 Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: ''Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të''. 17 Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr. 18 Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit. 19 Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t'i ngushëlluar për vëllanë e tyre. 20 Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi. 21 Marta i tha Jezusit: ''Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur, 22 por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t'i japë''. 23 Jezusi i tha: ''Yt vëlla do të ringjallet''. 24 Marta i tha: ''E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit''. 25 Jezusi i tha: ''Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. 26 Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?''. 27 Ajo i tha: ''Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë'' 28 Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: ''Mësuesi është këtu dhe po të thërret''. 29 Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai. 30 Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar. 31 Prandaj Judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: ''Ajo po shkon te varri për të qarë aty''. 32 Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: ''Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur''. 33 Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit, 34 dhe tha: ''Ku e keni vënë?''. Ata i thanë: ''Zot, eja e shih!''. 35 Jezusi qau. 36 Atëherë Judenjtë thanë: ''Shih, sa e donte!''. 37 Por disa nga ata thanë: ''Ky, që i hapi sytë të verbërit, s'mund të bënte që ky të mos vdiste?". 38 Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur. 39 Jezusi tha: ''Hiqni gurin!''. Marta, motra e të vdekurit, i tha: ''Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh''. 40 Jezusi i tha: ''A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?''. 41 Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: ''O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar. 42 Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar''. 43 Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: ''Llazar, eja jashtë!''. 44 Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: ''Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!''. 45 Atëherë shumë nga Judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë gjithçka kishte bërë Jezusi, besuan në të. 46 Por disa nga ata shkuan te farisenjtë dhe u treguan atyre ç'kishte bërë Jezusi. 47 Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë: ''Ç'të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja. 48 Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë''. 49 Por një nga ata, Kajafa, që ishte kryeprifti i atij viti, u tha atyre: ''Ju nuk kuptoni asgjë; 50 dhe as nuk e konceptoni se është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi''. 51 Por këtë ai nuk e tha nga vetja; por, duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezusi duhej të vdiste për kombin, 52 dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t'i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë. 53 Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin. 54 Për këtë arsye Jezusi nuk ecte më haptasi midis Judenjve, por u tërhoq në një krahinë afër shkretëtirës, në një qytet që quhej Efraim dhe aty rrinte me dishepujt e tij. 55 Dhe Pashka e Judenjve ishte afër dhe shumë veta nga ajo krahinë u ngjitën në Jeruzalem përpara Pashkës për t'u pastruar. 56 E kërkonin, pra, Jezusin dhe, duke qëndruar në tempull, thoshnin në mes tyre: ''Si ju duket juve? A do të vijë ai për festë?''. 57 Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ishte ai, të sinjalizonte që ta kapnin. 12 1 Jezusi, pra, gjashtë ditë përpara Pashkës, erdhii në Betani, ku banonte Llazari, ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur prej së vdekurish. 2 Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të. 3 Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji. 4 Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha: 5 ''Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t'u jepej fitimi të varfërve?''. 6 Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç'shtinin atje brenda. 7 Jezusi, pra, tha: ''Lëre! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim. 8 Të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju, por mua nuk më keni gjithmonë''. 9 Ndërkaq një turmë e madhe Judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, te cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish. 10 Atëherë krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin, 11 sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin Judenjtë dhe besonin në Jezusin. 12 Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem, 13 mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: ''Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!''. 14 Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar: 15 ''Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!''. 16 Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të. 17 Kështu turma, që ishte me të kur ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për të. 18 Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se ai kishte bërë këtë shenjë. 19 Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: ''A e shihni se s'po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij''. 20 Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë. 21 Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: ''Zot, duam të shohim Jezusin''. 22 Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit. 23 Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: ''Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet, 24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! 25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. 26 Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë. 27 Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë. 28 O Atë, përlëvdo emrin tënd!'' Atëherë një zë erdhi nga qielli: ''E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!''. 29 Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshnin: ''Një engjëll i ka folur!''. 30 Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju. 31 Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote! 32 Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t'i tërheq të gjithë tek unë''. 33 Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç'lloj vdekje duhet të vdiste. 34 Turma iu përgjigj: ''Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?''. 35 Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon''. 36 ''Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës''. Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre. 37 Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të, 38 që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: ''Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?''. 39 Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha: 40 ''Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj''. 41 Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të. 42 Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga, 43 sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë. 44 Pastaj Jezusi thirri dhe tha: ''Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar. 45 Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar. 46 Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë. 47 Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën. 48 Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit. 49 Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç'duhet të them e të shpall. 50 Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m'i ka thënë Ati''. 13 1 Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund. 2 Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte, 3 Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej, 4 u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5 Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t'ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. 6 Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: ''Zot, ti të m'i lash këmbët mua?''. 7 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj''. 8 Pjetri i tha: ''Ti kurrë nuk do të m'i lash këmbët''. Jezusi iu përgjigi: ''Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua''. 9 Simon Pjetri i tha: ''Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën''. 10 Jezusi i tha: ''Ai që është i larë, s'ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë''. 11 Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: ''Nuk jeni të gjithë të pastër''. 12 Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: ''A e kuptoni këtë që ju kam bërë? 13 Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam. 14 Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit. 15 Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju. 16 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar. 17 Po t'i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t'i bëni. 18 Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje". 19 Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti. 20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar''. 21 Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''. 22 Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste. 23 Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit. 24 Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli. 25 Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: ''Zot, kush është?''. 26 Jezusi u përgjigj: ''Éshtë ai të cilit do t'i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer''. Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit. 27 Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: ''Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!''. 28 Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë. 29 Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: ''Bli gjërat që na duhen për festën''; ose që t'u jepte diçka të varfërve. 30 Ai, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë. 31 Kur doli ai, Jezusi tha: ''Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të. 32 Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë. 33 Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve. 34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. 35 Prej kësaj do t'ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin''. 36 Simon Pjetri i tha: ''Zot, ku po shkon?''. Jezusi iu përgjigj: ''Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh''. 37 Pjetri i tha: ''Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!''. 38 Jezusi iu përgjigj: ''Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!''. 14 1 ''Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! 2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thoja. Unë po shkoj t'ju përgatis një vend. 3 Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. 4 Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën''. 5 Thomai i tha: ''Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?'' 6 Jezusi i tha: ''Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. 7 Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë''. 8 Filipi i tha: ''Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton''. 9 Jezusi i tha: ''Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?". 10 A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat. 11 Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave. 12 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati. 13 Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. 14 Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj''. 15 ''Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia. 16 Dhe unë do t'i lutem Atit dhe ai do t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, 17 Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju. 18 Nuk do t'ju lë bonjakë, do të kthehem te ju. 19 Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni. 20 Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju. 21 Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t'i dëftehem atij''. 22 Juda, jo Iskarioti, i tha: ''Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?''. 23 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. 24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar. 25 Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju; 26 por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t'ju mësojë çdo gjë dhe do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë. 27 Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë. 28 Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë. 29 Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni. 30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua; 31 por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar. Çohuni, ikim prej këndej!''. 15 1 ''Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. 2 Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt. 3 Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova. 4 Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. 5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. 6 Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen. 7 Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t'ju bëhet. 8 Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi. 9 Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time. 10 Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. 11 Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë. 12 Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve. 13 Askush s'ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij. 14 Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj. 15 Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç'bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im. 16 Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai t'jua japë. 17 Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin. 18 Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush. 19 Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren. 20 Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t'ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën. 21 Të gjitha këto gjëra do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar. 22 Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre. 23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim. 24 Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim. 25 Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak". 26 Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t'ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua. 27 Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi''. 16 1 ''Jua kam thënë këto gjëra, që të mos skandalizoheni. 2 Do t'ju përjashtojnë nga sinagogat; madje po vjen ora kur, kushdo që t'ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë. 3 Dhe do t'ju bëjnë këto gjëra, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua. 4 Por unë jua kam thënë këto gjëra që, kur të vijë momenti, të kujtoheni se unë jua kisha thënë; por nga fillimi këto fjalë nuk jua pata thënë, sepse isha me ju. 5 Por tani unë po shkoj tek ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s'po më pyet: "Ku po shkon?". 6 Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj. 7 Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t'jua dërgoj. 8 Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim. 9 Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua; 10 për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më; 11 për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar. 12 Kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë, por ato ende ju nuk mund t'i mbani. 13 Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t'ju kumtojë gjërat që do vijnë. 14 Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t'jua kumtojë. 15 Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t'jua kumtojë. 16 Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati''. 17 Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshnin midis tyre: ''Ç'është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?''. 18 Thoshnin pra: ''Ç'është kjo "Pas pak", për të cilën flet? Ne s'dimë ç'don të thotë''. 19 Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: ''Ju po pyesni njeri tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"? 20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim. 21 Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora; por, sapo e ka lindur fëmijën, nuk kujton më ankthin prej gëzimit që lindi një qenie njerëzore në botë. 22 Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t'ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t'ua heqë gëzimin tuaj. 23 Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t'jua japë. 24 Deri tani ju s'keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë. 25 Jua kam thënë këto gjëra në shëmbëlltyra, por po vjen ora kur nuk do t'ju flas më me shëmbëlltyra, por do t'ju flas haptas për Atin. 26 Në atë ditë ju do të kërkoni në emrin tim; dhe nuk po them se unë do t'i lutem Atit për ju; 27 Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia. 28 Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati''. 29 Dishepujt e tij i thanë: ''Ja, ti tani po flet haptas dhe s'po përdor asnjë shëmbëlltyrë. 30 Tani ne njohim se ti di gjithçka dhe s'ke nevojë që ndokush të të pyesë; prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia''. 31 Jezusi u përgjigj atyre: ''A besoni tani? 32 Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua. 33 Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!''. 17 1 Jezusi tha këto gjëra, pastaj i ngriti sytë drejt qiellit dhe tha: ''O Atë, ora ka ardhur, përlëvdo Birin tënd, që edhe Biri yt të të përlëvdojë, 2 sepse ti i ke dhënë pushtet mbi çdo mish, që t'u japë jetë të përjetshme të gjithë atyre që ti ia ke dhënë. 3 Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar. 4 Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj. 5 Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota. 6 Unë ia kam dëftuar emrin tënd njerëzve që ti m'i ke dhënë nga bota; ishin të tutë dhe ti m'i ke dhënë; dhe ata e kanë zbatuar fjalën tënde. 7 Tani ata kanë njohur se të gjitha gjërat që ti më ke dhënë vijnë prej teje, 8 sepse ua kam dhënë atyre fjalët që ti më ke dhënë mua; dhe ata i kanë pranuar dhe kanë njohur se me të vërtetë unë dola nga ti, dhe kanë besuar se ti më ke dërguar. 9 Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë. 10 Dhe të gjitha gjërat e mia janë të tuat, dhe gjërat e tua janë të miat; dhe unë jam përlëvduar në to. 11 Tani unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, dhe unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne! 12 Kur isha me ata në botë, unë i kam ruajtur në emrin tënd; unë i kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi. 13 Por tani unë po vij te ti dhe i them këto gjëra në botë, që gëzimi im të bëhet i plotë në ta. 14 Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës. 15 Unë nuk kërkoj që ti t'i heqësh nga bota, por që ti t'i mbrosh nga i ligu. 16 Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota. 17 Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. 18 Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë. 19 Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë. 20 Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre, 21 që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar. 22 Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një. 23 Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në unitet dhe që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua. 24 O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë, sepse ti më ke dashur para themelimit të botës. 25 O atë i drejtë, bota nuk të ka njohur, por unë të kam njohur; dhe këta e kanë njohur se ti më ke dërguar. 26 Dhe unë i kam bërë të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta''.