Nehemiah 10:35-39

Albanian(i) 35 U zotuam gjithashtu të çojmë çdo vit në shtëpinë e Zotit prodhimet e para të tokës sonë dhe frytat e para të çdo peme, 36 dhe të parëlindurit e bijve tanë dhe të bagëtisë sonë, ashtu siç është shkruar në ligj, dhe me të pjelljen e parë të bagëtive tona të trasha dhe të imta për t'ua paraqitur në shtëpinë e Perëndisë tonë priftërinjve që kryejnë shërbim në shtëpinë e Perëndisë tonë. 37 Përveç kësaj u zotuam t'u çojmë priftërinjve në dhomat e shtëpisë së Perëndisë tonë prodhimet e para të brumit tonë, ofertat tona, frutat e çdo peme, mushtin dhe vajin, dhe Levitëve të dhjetën e tokës sonë; vetë Levitët do të marrin të dhjetën pjesë në të gjitha qytetet ku ne punojmë. 38 Një prift, pasardhës i Aaronit, do të jetë me Levitët kur ata do të marrin të dhjetat; dhe Levitët do ta çojnë të dhjetën e së dhjetës në shtëpinë e Perëndisë tonë, në dhomat e thesarit, 39 sepse në këto dhoma bijtë e Izraelit dhe bijtë e Levit do të sjellin ofertat e grurit, të mushtit dhe të vajit; këtu janë veglat e shenjtërores, priftërinjtë që kryejnë shërbimin, derëtarët dhe këngëtarët. Ne nuk do ta braktisim shtëpinë e Perëndisë tonë.