Albanian(i)
21 Pastaj Izraeli dërgoi lajmëtarë të tij te Sihoni, mbret i Amorejve, për t'i thënë:
22 "Na lejoni të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të hyjmë nëpër arat ose nëpër vreshtat, nuk do pimë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën Mbretërore deri sa t'i kalojmë kufijtë e tu".
23 Por Sihoni nuk e lejoi Izraelin të kalonte nëpër territorin e tij; për më tepër Sihoni mblodhi njerëzit e tij dhe doli kundër Izraelit në shkretëtirë; arriti në Jahats dhe luftoi kundër Izraelit.
24 Izraeli e mundi, duke e kaluar në majën e shpatës, dhe pushtoi vendin e tij nga Arnoni deri në Jakob, deri në kufijtë e bijve të Amonit, sepse kufiri i bijve të Amonit ishte i fortë.
25 Kështu Izraeli pushtoi tërë ato qytete dhe banoi në të gjitha qytetet e Amorejve, në Heshbon dhe në të gjitha qytetet e territorit të tyre,
26 sepse Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të Amorejve, i cili i kishte bërë luftë mbretit të mëparshëm të Moabit dhe i kishte hequr nga dora tërë vendin e tij deri në Arnon.
27 Prandaj poetët thonë: "Ejani në Heshbon! Qyteti i Sihonit duhet të rindërtohet dhe të fortifikohet!
28 Sepse një zjarr ka dalë nga Heshboni, një flakë nga qyteti i Sihonit; kjo ka përpirë Arin e Moabit, zotërit e lartësive të Arnonit.
29 Mjerë ti, o Moab! Je i humbur, o popull i Kemoshit! Bijtë e tij kanë marrë arratinë dhe bijat e tij i janë dhënë si skllave Sihonit, mbretit të Amorejve.
30 Por ne i qëlluam me shigjeta; Heshboni është shkatërruar deri në Dibon. Kemi shkretuar gjithshka deri në Nofah, që ndodhet pranë Medebas".
31 Kështu Izraeli u vendos në vendin e Amorejve.
32 Pastaj Moisiu dërgoi njerëz për të vëzhguar Jaazerin, dhe kështu Izraelitët pushtuan qytetet e territorit të tij dhe përzunë Amorejtë që ndodheshin aty.
33 Pastaj ndryshuan drejtim dhe u ngjitën në rrugën e Bashanit; dhe Ogu, mbreti i Bashanit, doli kundër tyre me gjithë njerëzit e tij për t'u ndeshur në Edrej.
34 Por Zoti i tha Moisiut: "Mos ki frikë nga ai, sepse unë e lë në duart e tua me gjithë njerëzit e tij dhe vendin e tij; trajtoje ashtu siç ke trajtuar Sihonin, mbretin e Amorejve që banonte në Heshbon.
35 Kështu Izraelitët e mundën atë, bijtë e tij dhe tërë popullin e tij, deri sa nuk mbeti asnjë i gjallë, dhe pushtuan vendin e tij.