Romans 8:28-39

Albanian(i) 28 Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij. 29 Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. 30 Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi. 31 Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? 32 Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të? 33 Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson. 34 Kush është ai që do t'i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne. 35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? 36 Siç është shkruar: ''Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje''. 37 Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. 38 Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, 39 as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.