2 Chronicles 24:14-22

Albanian(i) 14 Kur kishin mbaruar, paratë që mbetën i çuan para mbretit dhe Jehojadës dhe me to bënë orendi për shtëpinë e Zotit, orendi për shërbimin dhe për olokaustet, kupa dhe vegla të tjera prej ari ose argjendi. Deri sa jetoi Jehojada, u ofruan vazhdimisht olokauste në shtëpinë e Zotit. 15 Por Jehojada, tanimë i plakur dhe i ngopur me ditë, vdiq; ai ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur vdiq; 16 e varrosën në qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse kishte bërë të mira në Izrael, ndaj Perëndisë dhe ndaj shtëpisë së tij. 17 Mbas vdekjes së Jehojadës, krerët e Judës shkuan dhe ranë përmbys përpara mbretit; dhe mbreti i dëgjoi. 18 Pastaj ata braktisën shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, dhe u shërbyen Asherimëve dhe idhujve; për shkak të këtij mëkati, zemërimi i Perëndisë ra mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin. 19 Zoti u dërgoi atyre profetë për t'i bërë të kthehen tek ai; këta dëshmuan kundër tyre, por ata nuk deshën t'i dëgjojnë. 20 Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Zakarian, birin e priftit Jehojada, që u ngrit përpara popullit dhe tha: "Kështu thotë Perëndia: Pse shkelni urdhërimet e Zotit dhe nuk keni mbarësi? Mëqe e keni braktisur Zotin edhe ai do t'ju braktisë". 21 Por ata komplotuan kundër tij dhe me urdhër të mbretit, e vranë me gurë në oborrin e shtëpisë të Zotit. 22 Kështu mbreti Joas nuk e kujtoi mirësinë që Jehojada, ati i Zakarias, kishte treguar ndaj tij dhe ia vrau të birin, i cili duke vdekur tha: "Zoti e shikoftë dhe të kërkoftë llogari!.