Albanian(i)
5 Prandaj Zoti, Perëndia i tij, ia dha në dorë mbretit të Sirisë; ky i mundi dhe zuri një numër të madh robërish që i çuan në Damask. U dha gjithashtu në dorë të mbretit të Izraelit, që i shkaktoi një humbje të madhe.
6 Në të vërtetë Pekahu, bir i Remaliahut, brenda një dite vrau njëqind e njëzet mijë burra në Judë, tërë trima, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.
7 Zikri, një trim nga Efraimi, vrau Maasejahun, birin e mbretit, Azrikam, prefektin e pallatit, dhe Elkanahun, që zinte vendin e dytë pas mbretit.
8 Bijtë e Izraelit çuan robër, midis vëllezërve të tyre, dyqind mijë gra, bij dhe bija; u morën atyre edhe një plaçkë të madhe, që e çuan në Samari.
9 Por aty ishte një profet i Zotit, që quhej Obed. Ai doli para ushtrisë që po kthehej në Samari dhe tha: "Ja, me qenë se Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ishte i zemëruar me Judën, ju dha ata në duart tuaja, por ju i vratë me tërbim, që arriti deri në qiell.
10 Dhe tani doni t'i nënshtroni, si skllevërit tuaj dhe skllavet tuaja, bijtë dhe bijat e Judës dhe të Jeruzalemit. Por në realitet a nuk jeni fajtorë ju vetë përpara Zotit, Perëndisë tuaj?
11 Dëgjomëni, pra, dhe kthejini robërit që keni zënë midis vëllezërve tuaj, sepse përndryshe zemërimi i zjarrtë i Zotit do të bjerë mbi ju".
12 Atëherë disa nga krerët e bijve të Efraimit, Azariahu, bir i Johananit, Berekiahu, bir i Meshilemothit, Ezekia, bir i Shalumit, dhe Amasa, bir i Hadlait, u ngritën kundër atyre që ktheheshin nga lufta,
13 dhe u thanë: "Ju nuk do t'i sillni këtu robërit, sepse mbi ne rëndon tanimë një faj kundër Zotit; ajo që keni ndër mend të bëni do t'i shtojë edhe më tepër mëkatet dhe fajin tonë, sepse faji ynë është mjaft i madh dhe një zemërim i zjarrtë i kërcënohet Izraelit".
14 Atëherë ushtarët i lanë robërit dhe plaçkën përpara komandantëve dhe tërë asamblesë.
15 Pastaj disa njerëz të thirrur me emër u ngritën dhe morën robërit dhe me rrobat e plaçkës veshën tërë ata që ishin lakuriq; u dhanë rroba dhe sandale, për të ngrënë dhe për të pirë dhe i vajosën; pastaj i mbartën tërë të dobëtit mbi gomarë dhe i çuan në Jeriko, qyteti i palmave, pranë vëllezërve të tyre, pastaj u kthyen në Samari.