2 Samuel 11:6-17

Albanian(i) 6 Atëherë Davidi dërgoi t'i thotë Joabit: "Dërgomë Hiteun Uriah". Dhe Joabi dërgoi Uriahun te Davidi. 7 Kur Uriahu arriti tek ai, Davidi e pyeti për gjendjen shëndetsore të Joabit dhe të popullit, dhe si shkonte lufta. 8 Pastaj Davidi i tha Uriahut: "Zbrit në shtëpinë tënde dhe laji këmbët". Uriahu doli nga shtëpia e mbretit dhe i nisën një dhuratë nga ana e mbretit. 9 Por Uriahu fjeti te porta e shtëpisë së mbretit bashkë me tërë shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij. 10 Kur e njoftuan Davidin për këtë gjë dhe i thanë: "Uriahu nuk zbriti në shtëpinë e tij". Davidi i tha Uriahut: "A nuk vjen vallë nga një udhëtim? Pse, pra, nuk zbrite në shtëpinë tënde?". 11 Uriahu iu përgjigj Davidit: "Arka, Izraeli dhe Juda banojnë në çadra, zotëria im Joab dhe shërbëtorët e zotërisë tim e kanë ngritur kampin e tyre në fushë të hapur. Si mund të hyj unë në shtëpinë time për të ngrënë dhe për të pirë? Ashtu siç është e vërtetë që ti rron dhe që rron shpirti yt, unë nuk do ta bëj këtë gjë!". 12 Atëherë Davidi i tha Uriahut: "Qëndro edhe sot këtu, nesër do të të lë të shkosh". Kështu Uriahu qëndroi në Jeruzalem atë ditë dhe ditën tjetër. 13 Davidi e ftoi pastaj të hajë e të pijë bashkë me të dhe e dehu. Por në mbrëmje Uriahu doli për të shkuar në shtrojën e tij bashkë me shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij. 14 Të nesërmen në mëngjes, Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi me anë të Uriahut. 15 Në letër kishte shkruar kështu: "Vendoseni Uriahun në vijë të parë, ku beteja është më e ashpër, pastaj tërhiquni nga ai, me qëllim që të goditet dhe të vdesë". 16 Ndërsa rrethonte qytetin, Joabi e vuri Uriahun në vendin ku e dinte se kishte njerëz trima. 17 Banorët e qytetit bënë një dalje dhe sulmuan Joabin, disa nga shërbëtorët e Davidit ranë dhe vdiq edhe Hiteu Uriah.