Amos 1:3-13

Albanian(i) 3 Kështu flet Zoti: "Për tre krime të Damaskut, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e kanë shirë Galaadin me shirëse prej hekuri. 4 Prandaj do të dërgoj zjarr në shtëpinë e Hazaelit, që do të gllabërojë pallatet e Ben-hadadit. 5 Do të copëtoj edhe shufrat e Damaskut, do të shfaros banorin e Bikath-avenit dhe atë që mban skeptrin e Beth-edenit, dhe populli i Sirisë do të shkojë në robëri në Kir", thotë Zoti. 6 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Gazës, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e saj, sepse kanë shpërngulur një popullatë të tërë për t'ia dorëzuar Edomit. 7 Prandaj do të dërgoj zjarr brenda mureve të Gazës, që do të gllabërojë pallatet e saj. 8 Do të shfaros banorin prej Ashdodit dhe atë që mban skeptrin prej Ashkelonit; do ta kthej dorën time kundër Ekronit, dhe kusuri i Filistejve do të vdesë", thotë Zoti, Zoti. 9 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Tiros, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse i kanë dorëzuar si robër Edomit një popullatë të tërë, pa kujtuar besëlidhjen vëllazërore. 10 Prandaj do të dërgoj zjarr brenda mureve të Tiros, që do të gllabërojë pallatet e tij". 11 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Edomit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse ka ndjekur me shpatë vëllanë e tij, duke mbytur çdo mëshirë; zemërimi i tij vepron vazhdimisht dhe indinjata e tij përjetë. 12 Prandaj do të dërgoj zjarr kundër Temanit, që do të gllabërojë pallatet e Botsrahut". 13 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të bijve te Amonit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse u kanë çarë barkun grave me barrë të Galaadit për të zgjeruar kufijtë e tyre.