Daniel 8:4-14

Albanian(i) 4 Pashë dashin që godiste kundrejt perëndimit, drejt veriut dhe drejt jugut; asnjë kafshë nuk mund t'i rezistonte, askush nuk mund të çlirohej nga pushteti i tij; kështu ai bëri atë që desh dhe u bë i madh. 5 Ndërsa kisha parasysh këtë, ja, ku po vinte nga perëndimi një cjap, që përshkonte tërë sipërfaqen e dheut pa e prekur tokën; cjapi kishte një bri të madh midis syve të vet. 6 Arriti deri te dashi me dy brirë që kisha parë më këmbë përpara lumit, dhe iu hodh kundër me furinë e forcës së tij. 7 E pashë të afrohet dhe të zemërohet kundër tij; pastaj i ra me bri dashit dhe copëtoi dy brirët e tij, ndërsa dashi nuk kishte fuqi për t'i rezistuar; kështu e hodhi për tokë dhe askush nuk mundi ta çlirojë dashin nga pushteti i këtij. 8 Cjapi u bë shumë i madh; por, kur u bë i fuqishëm, briri i tij i madh u thye; në vend të tij dolën katër brirë të mëdhenj, që drejtoheshin drejt katër erërave të qiellit. 9 Nga një prej tyre doli një bri i vogël, që u bë shumë i madh në drejtim të jugut, të lindjes dhe të vendit të lavdishëm. 10 U rrit deri sa arriti ushtrinë e qiellit, bëri të bjerë për tokë një pjesë e ushtrisë dhe e yjeve dhe i shkeli. 11 U ngrit madje deri te komandanti i ushtrisë, i hoqi flijimin e vazhdueshëm dhe vendi i shenjtërores së tij u shemb. 12 Ushtria iu la në dorë bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; ai hodhi për tokë të vërtetën; bëri tërë këto gjëra dhe i shkoi mbarë. 13 Pastaj dëgjova një të shenjtë që fliste, dhe një i shenjtë tjetër i tha atij që fliste: "Deri kur do të vazhdojë ky vegim: ndalimi i flijimit të përditshëm, shkretimi për shkak të paudhësisë, shenjtërorja dhe ushtria të shkelur?" 14 Ai më tha: "Deri dymijë e treqind ditë; pastaj shenjtërorja do të pastrohet".