Deuteronomy 31:19-29

Albanian(i) 19 Tani shkruajeni për ju këtë kantik dhe mësojuani bijve të Izraelit; vëreni në gojën e tyre, me qëllim që ky kantik të më shërbejë si dëshmi kundër bijve të Izraelit. 20 Kur t'i kem futur në vendin, që u premtova etërve të tyre me betim, aty ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, dhe ata të kenë ngrënë, të jenë ngopur dhe të kenë vënë dhjamë, atëherë do t'u drejtohen perëndive të tjera për t'i shërbyer, dhe do të përçmojnë dhe do të shkelin besëlidhjen time. 21 Atëherë do të ndodhë që kur shumë të këqia dhe fatkeqësi do t'u kenë zënë, ky himn fetar do të dëshmojë kundër tyre, sepse ai nuk do të harrohet dhe do të mbetet mbi buzët e pasardhësve të tyre; unë njoh në fakt qëllimet e tyre, edhe para se t'i kem futur në vendin që u kam premtuar me betim". 22 Kështu Moisiu e shkrojti atë ditë këtë kantik dhe ua mësoi bijve të Izraelit. 23 Pastaj i dha urdhërat e tij Jozueut, birit të Nunit dhe i tha: "Të jesh i fortë dhe trim, sepse ti do t'i futësh bijtë e Izraelit në vendin që u kam premtuar me betim; dhe unë do të jem me ty". 24 Kur Moisiu mbaroi së shkruari në një libër tërë fjalët e këtij ligji, 25 u dha këtë urdhër Levitëve që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit, duke thënë: 26 "Merreni këtë libër të ligjit dhe vendoseni në arkën e besëlidhjes të Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mbetet si një dëshmi kundër teje; 27 sepse unë e njoh frymën tëndë rebele dhe fortësinë e qafës sate. Ja, sot kur akoma jam i gjallë midis jush, ju u bëtë rebelë kundër Zotit; aq më tepër do të bëheni mbas vdekjes sime! 28 Mblidhni pranë meje të gjithë pleqtë e fiseve tuaja dhe zyrtarët tuaj, me qëllim që të dëgjojnë këto fjalë dhe unë të thërras të dëshmojnë kundër tyre qiellin dhe tokën. 29 Sepse unë e di që, mbas vdekjes sime, do të korruptoheni plotësisht dhe do të largoheni nga rruga që ju kam urdhëruar, dhe ditët e fundit do të goditeni nga fatkeqësia, sepse keni për të bërë atë që është e keqe për sytë e Zotit, duke provokuar indinjatën e tij me veprën e duarve tuaja".