Albanian(i)
1 "Pastaj afro pranë vetes sate Aaronin, tët vëlla, dhe bijtë e tij së bashku me të, nga gjiri i bijve të Izraelit, që të më shërbejnë mua si prift; e kam fjalën për Aaronin, Nadabin, Eleazarin dhe Ithamarin, bij të Aaronit.
2 Dhe do t'i bësh Aaronit, vëllait tënd, rroba të shenjta, për t'i dhënë nder e hijeshi.
3 Do të flasësh me të gjithë personat e aftë, që i kam mbushur me frymën e diturisë, dhe ata t'i bëjnë rrobat e Aaronit për ta shenjtëruar, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift.
4 Dhe këto janë rrobat që do të bëjnë: një pektoral, një efod, një mantel, një tunikë e thurur me shtiza, një çallmë dhe një brez. Do të bëjnë, pra, rroba të shenjta për Aaronin, vëllanë tënd dhe për bijtë e tij, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift;
5 ata do të përdorin ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe li të hollë.
6 Do ta bësh efodin me ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, të kuqe flakë si dhe me fill liri të hollë dhe të përdredhur, të punuar artistikisht.
7 Në dy skajet e tij do të ketë të lidhura dy supore, me qëllim që të mbahet si një e tërë.
8 Brezi i punuar artistikisht, që ndodhet mbi efodin, do të ketë po atë punë të efodit: prej ari dhe me fije ngjyrë vjollce, të purpurt, me flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur.
9 Pastaj do të marrësh dy gurë oniksi dhe do të gdhendësh mbi ta emrat e bijve të Izraelit:
10 gjashtë nga emrat e tyre mbi një gur dhe gjashtë emrat e tjerë mbi gurin tjetër, sipas radhës së tyre të lindjes.
11 Do të gdhendësh mbi këta gurë emrat e bijve të Izraelit ashtu siç bën prerësi i gurit në gdhendjen e një vule; do t'i futësh në rrathë ari.
12 Do t'i vësh të dy gurët mbi supet e efodit, si gurë kujtimore për bijtë e Izraelit; dhe Aaroni do t'i çojë emrat e tyre si një kujtim para Zotit mbi dy shtyllat e tij.
13 Do të bësh gjithashtu rrathë ari
14 dhe dy zinxhirë prej ari safi, të thurur si një litar, dhe do të vësh në rrathët zinxhirët e thurur në këtë mënyrë.