Ezekiel 28:2-9

Albanian(i) 2 "Bir njeriu, i thuaj princit të Tiros: Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se zemra jote është ngritur dhe ke thënë: "Unë jam një perëndi; unë ulem mbi një fron perëndish në zemrën e deteve", ndërsa je një njeri dhe jo një perëndi, ndonëse e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë. 3 Ja, ti je më i urtë se Danieli, asnjë sekret nuk mbetet i fshehur për ty. 4 Me diturinë tënde dhe zgjuarësinë tënde ke grumbulluar pasuri dhe ke mbledhur ar dhe argjend në thesaret e tua; 5 me diturinë tënde të madhe, me tregtinë tënde ke rritur pasuritë e tua, dhe për shkak të pasurive të tua zemra jote është ngritur". 6 Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë, 7 prandaj ja, unë do të sjell kundër teje kombet më të tmerrshme; këta do të zhveshin shpatat e tyre kundër shkëlqimit të diturisë sate dhe do të ndotin bukurinë tënde. 8 Do të të zbresin në gropë dhe ti do të vdesësh nga vdekja e atyre që janë shpuar në zemër të deteve. 9 A do të vazhdosh të thuash: "Unë jam një perëndi", përpara atij që do të të vrasë? Por do të jesh një njeri dhe jo një zot në duart e atij që do të të shpojë.