Mark 11:1-10

Albanian(i) 1 Tani kur iu afruan Jeruzalemit, drejt Betfage dhe Betania, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy nga dishepujt e vet, 2 duke u thënë: ''Shkoni në fshatin përballë dhe, posa të hyni aty, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin akoma nuk ka hipur askush; zgjidheni dhe ma sillni. 3 Dhe në se ndokush iu thotë: "Pse po veproni kështu?", përgjigjuni: "I duhet Zotit. Ai do ta kthejë menjëherë këtu"''. 4 Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, në rrugë, dhe e zgjidhën. 5 Disa nga të pranishmit u thanë atyre: ''Ç'po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?''. 6 Këta iu përgjigjën ashtu si u kishte thënë Jezusi dhe ata i lanë të shkojnë. 7 Atëherë ia çuan Jezusit kërriçin, vunë mbi të mantelet e tyre dhe ai u ul mbi të. 8 Shumë njerëz i shtronin rrobat e tyre rrugës dhe të tjerë pritnin degë nga pemët dhe i hidhnin rrugës. 9 Dhe si ata që pararendnin, edhe ata që ndiqnin Jezusin, thërrisnin dhe thonin: ''Hosana! Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit! 10 E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet shumë të larta!''.