Numbers 23:3-12

Albanian(i) 3 Pastaj Balaami i tha Balakut: "Qëndro pranë olokaustit tënd dhe unë do të shkoj; ndofta Zoti do të vijë të takohet me mua; dhe atë që ka për të më treguar do të ta njoftoj". Kështu ai shkoi në një bregore të zhveshur. 4 Dhe Perëndia i doli përpara Balaamit, dhe Balaami i tha: "Unë kam përgatitur shtatë altarë dhe kam ofruar nga një dem të vogël dhe nga një dash për çdo altar". 5 Atëherë Zoti i vuri një mesazh në gojë Balaamit dhe i tha: "Kthehu te Balaku dhe foli kështu". 6 U kthye tek ai, dhe ja, ai qëndronte pranë olokaustit, ai dhe të gjithë prijësit e Moabit. 7 Atëherë Balaami shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Balaku, mbret i Moabit, më ka sjellë nga Arami, nga malet e Lindjes: "Eja, mallko për mua Jakobin, eja dhe padit Izraelin!". 8 Si mund të mallkoj atë që Zoti nuk e ka mallkuar? Si mund të padis atë që Zoti nuk e ka paditur? 9 Unë e shoh nga maja e shkëmbinjve dhe e sodis nga lartësitë; ja, është një popull që qëndron vetëm dhe nuk është përfshirë në gjirin e kombeve. 10 Kush mund të llogarisë pluhurin e Jakobit apo të numërojë çerekun e Izraelit? Vdeksha unë si njerëzit e drejtë dhe qoftë fundi im i njëllojtë me atë të tyren!". 11 Atëherë Balaku i tha Balaamit: "Ç'më bëre? Të mora që të mallkosh armiqtë e mi, kurse ti i bekove me të madhe". 12 Por ai u përgjigj dhe tha: "A nuk duhet të kujdesem unë të them me të shpejtë atë që Zoti më vë në gojë?".