Genesis 24:35-49

Albanian(i) 35 Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim, që është bërë i madh; i ka dhënë dele dhe qe, argjend dhe flori, shërbyes dhe shërbyese, deve dhe gomarë. 36 Por Sara, gruaja e zotërisë tim, i ka lindur në pleqërinë e saj një djalë zotërisë tim, i cili i ka dhënë atij gjithçka zotëron. 37 Dhe zotëria im më vuri të betohem duke thënë: "Nuk do të marrësh grua për djalin tim nga bijtë e Kanaanejve, në vendin ku banoj; 38 por do të shkosh në shtëpinë e babait tim dhe tek afëria ime dhe aty do të marrësh një grua për birin tim". 39 Atëherë unë i thashë zotërisë tim: "Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë". 40 Por ai u përgjegj: "Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim. 41 Do të lirohesh nga betimi që më ke bërë kur të shkosh tek afëria ime; dhe po të jetë se nuk duan të ta japin, do të lirohesh nga betimi që më ke bërë". 42 Sot kam arritur te burimi dhe thashë: "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, në rast se të pëlqen kështu, të lutem bëje të mbarë udhëtimin që kam filluar; 43 Ja, unë po ndalem pranë burimit të ujit; bëj që vajza që ka për të dalë për të marrë ujë dhe së cilës do t'i them: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote", 44 dhe që do të më thotë: "Pi sa ke nevojë dhe do të marr ujë edhe për devetë e tua", le të jetë gruaja që Zoti i ka caktuar djalit të zotërisë tim. 45 Para se unë të kisha mbaruar së foluri në zemrën time, doli jashtë Rebeka me shtambën e saj mbi shpatull; ajo zbriti te burimi dhe mbushi ujë. Atëherë unë i thashë: 46 "Oh, lermë të pi!". Dhe ajo shpejtoi ta ulte shtambën nga shpatulla e saj dhe u përgjegj: "Pi dhe do t'u jap të pinë edhe deveve të tua". Kështu unë piva dhe ajo u dha të pinë edhe deveve. 47 Atëherë e pyeta dhe i thashë: "Bijë e kujt je?". Ajo m'u përgjegj: "Jam bijë e Bethuelit, biri i Nahorit, që Milkah lindi". Kështu unë i vura unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës. 48 Pastaj u përkula, adhurova Zotin dhe e bekova Zotin, Perëndinë e Abrahamit, zotërisë tim, që më ka çuar në rrugën e drejtë për të marrë për birin e tij bijën e vëllait të zotërisë tim. 49 Dhe tani në rast se doni të silleni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, duhet të ma thoni; në rast se jo, ma thoni njëlloj dhe unë do të kthehem djathtas ose majtas".